Parlamenti i Shqipërisë ka miratuar këtë të enjte projekt-rezolutën për përkufizimin e përdorshëm për Anti-Semitizimin përcaktuar nga Aleanca Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit. kjo projekt-rezolutë është miratuar me 111 vota pro. Asnjë deputet në sallë nuk ka dalë kundër dhe pas votimit të gjithë kanë duartrokitur. Miratimi i kësaj rezolute vjen dy ditë para se të zhvillohet Forumi i Ballkanit Kundër Anti-Semitizmit 2020 më 28 Tetor 2020 në orën 16:00 në Tiranë. Ky forum do të sjellë në Tiranë sekretarin e Shtetit i SHBA-ve, Michael Pompeo. Ai do të jetë folësi kryesor i Forumit të Ballkanit Kundër Anti-Semitizmit 2020.
“Lufta kundër antisemitizmit është një domosdoshmëri dhe kritike morale për promovimin e lirisë fetare. Është nderi ynë të shpallim Sekretarin e Shtetit të SHBA Michael Pompeo si folësin kryesor të Forumit të Ballkanit 2020 Kundër Anti-Semitizmit”, shkruhet në njoftimin zyrtar.
Të pranishëm sot në parlament gjatë miratimit të projekt rezolutës kanë qenë edhe ambasadorët, të SHBA, BE dhe i Izraelit, të cilët po ashtu kanë duartrokitur në sallë bashkë me deputetët. Edhe gjatë diskutimit në sallë për këtë projektrezolutë, është folur gjatë për ndihmën e dhënë nga Shqipëria kundrejt hebrenjve. Një vendim i tillë ka bërë jehonë edhe në mediat izraelite, të cilët vënë theksin se Shqipëria me shumicë myslimane, është vendi i dytë pas Kosovës, që miraton këtë projekt-rezolutë.
“Parlamenti shqiptar ka mbështetur përkufizimin e punës së Aleancës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit (IHRA) të antiSemitizmit duke e bërë Shqipërinë një nga vendet e para me shumicë-myslimane që miraton rezolutë. Përkufizimi i IHRA, një organizatë ndërqeveritare që përfshin 34 vende anëtare, është një klasifikim i antisemitizmit i rënë dakord ndërkombëtarisht i përdorur për të ndihmuar në përcaktimin dhe luftimin e antisemitizmit në vendet që e kanë miratuar atë”, thuhet mes të tjerave në shkrimin në median izraelite.
Nëpërmjet kësaj rezolute, të propozuar nga deputetët Taulant Balla dhe Blerina Gjylameti përcaktohet përkufizimi i antisemitizmit si më poshtë: “Antisemitizmi është një perceptim i caktuar për hebrenjtë, i cili mund të shprehet si urrejtje ndaj hebrenjve. Manifestimet retorike dhe fizike të antisemitizmit drejtohen ndaj individëve hebrenj ose Jo hebrenj dhe/ose ndaj pronës se tyre, ndaj institucioneve dhe objekteve fetare të komunitetit hebraik.”