Reformat e ndërmarra nga vendi ynë në lidhje me integrimin në BE ishin ne fokus te takimit qe Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj zhvilloi me një delegacion të përbashkët të dy vendeve të BE-së, Irlandës dhe Finlandës.
Pjese e takimit ishin Ministrja e Shtetit për Çështjet e Europës të Irlandës znj.Helen McEntee dhe Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Jashtme të Finlandës z.Samuli Virtanen.
Në përbërje të këtij delegacioni të gjerë nga dy vendet, ishin edhe ambasadorët e vendeve përkatëse në Shqipëri, zyrtarë të lartë nga Ministritë e Jashtme të të dy vendeve dhe ekspertë të çështjeve të Ballkanit dhe zgjerimit të BE-së.
“Palët diskutuan gjithashtu edhe për rolin dhe punën e Ministrisë së Brendshme në kuadrin e forcimit të kapaciteteve të Policisë së Shtetit me synim integrimin e vendit’- njofton MB.
Sipas saj, Ministri Lleshaj nënvizoi rëndësinë e hapjes së negociatave këtë vit, si një vazhdimësi e natyrshme e procesit të integrimit europian të vendit e si një shtysë për vazhdimësinë e thellimin e reformave në vend.
Palët diskutuan gjithashtu edhe për mundësinë e forcimit të bashkëpunimit dypalësh dhe evidentuan fusha ku ky bashkëpunim mund të thellohet.
Delegacioni do të bëjë takime edhe në parlamentin shqiptar si dhe në Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë.



