Alex Soros, djali i miliarderit kontrovers amerikan George Soros, fondacioni i të cilit operon në Kosovë dhe në Serbi i ka shpeshtuar vizitat e tij në Kosovë. Përveç takimeve me liderët shtetërorë, Alex Soros tashmë ka filluar të takohet edhe me deputetët e Kuvendit të Kosovës. Një takim të tillë së fundi ai e ka pasur me deputetët të të gjitha partive. Është takuar me Vjosa Osmani, Lumir Abdixhiku, Abelard Tahiri. Por, se çfarë është diskutuar në këtë takim Express, iu sjell detajet.
Një takim në mes të djalit të miliarderit amerikan George Soros, Alex Soros dhe disa prej deputetëve të pozitës dhe opozitës në Kosovë, ndonëse ishte mbajtur rreth 1 muaj më herët është bërë publik vetëm mbrëmë përmes një fotoje që ka publikuar Soros në llogarinë e tij në Instagram.
Pas takimeve me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuciq e atë të Kosovës, Hashim Thaçi, Soros është takuar edhe me deputetët e Kuvendin të Kosovës, si Vjosa Osmani, Lumir Abdixhiku, Abelard Tahiri, Visar Ymeri e Korab Sejdiun e Glauk Konjucën.
“Faleminderit “kfos@opendsocietyfoundations” që ka sjellur së bashku një grup kaq impresionues të liderëve të ardhshëm”, është mbishkrimi I fotos me deputetët e publikuar nga Soros.
Por, asnjë prej deputetëve që kishin qenë në takim nuk e kishin përmendur këtë e as nuk kishin postuar ndonjë fotografi ashtu siç ndodh zakonisht.
Për këtë takim ka treguar sot vetëm deputeti i pavarur, Korab Sejdiu.
Sejdiu i ka thënë Gazetës Express se ky takim është realizuar para afër 1 muaji dhe se ka qenë vetëm një bisedë informative. Deklaron se ata janë pyetur vetëm për idetë e tyre rreth zhvillimit të Kosovës.
“Ky takim ka qenë më moti. I ka afër një muaj që jemi taku. Më shumë ka qenë vetëm bisedë informative që me i dhanë ne idetë tona rreth zhvillimeve të Kosovës edhe në vend edhe ndërkombëtare, si sundimi i ligjit”, ka thënë Sejdiu.
Ndërsa, deklaron se në këtë takim nuk është përmendur fare shkëmbimi i territoreve.
“Jo nuk është përmend shkëmbimi i territoreve. Ne e kemi theksuar qëndrimin e opozitës që Kosova dhe Serbia duhet që ti përmirësojnë raportet dhe të arrihet njohje reciproke, por jo diqka ma shumë”, deklaroi ai për Express.

Gazeta Express ka provuar të kontaktojë edhe me deputetët e tjerë që kanë qenë pjesëmarrës në këtë takim, por kontakti me ta ka qenë i pamundur.
Kishte shkruar se është fascinuese “të kthehet në Kosovë në një kohë kyce për të ardhmen e Kosovës dhe rajonit”
Para vizitës në Kosovë, Soros në Amerikë, kishte takuar Kryeministren e shtetit serb Ana Bërnabiq, e cila kishte qëndruar SHBA’në.
George Soros vazhdon të ketë ndikim në shumë vende të botës përmes fondacionit me të cilin financon zyrtarë të shumë shteteve të ndryshme. Në zgjedhjet e fundit amerikane, Soros ishte pozicionuar kundër Donald Trump. /GazetaExpress.






