Pasditja e kësaj të merkure ka shënuar fluks të lartë të emigrantëve kosovarë që po kthehen në vendlindje për pushimet verore, duke shkaktuar ngarkesë të konsiderueshme në Rrugën e Kombit dhe në pikën kufitare të Vërmicës.
Krahas tyre, edhe turistë të shumtë të huaj që po vizitojnë Shqipërinë po zgjedhin të kalojnë kufirin për të eksploruar Kosovën, duke rritur më tej numrin e hyrjeve. Në pikën kufitare të Vërmicës, autoritetet doganore të Kosovës kanë vënë në funksion të plotë të gjashtë sportelet ekzistuese dhe kanë aplikuar procedura të përshpejtuara për kontrollin kufitar.
Megjithatë, krijimi i radhëve mbetet i pashmangshëm, veçanërisht për emigrantët dhe turistët që udhëtojnë me automjete me targa të vendeve të BE-së, të cilët nuk përfitojnë nga marrëveshja për kalim të lirë mes dy shteteve.
Sipas të dhënave zyrtare të Doganës së Kosovës, nga data 1 deri më 15 korrik 2025 janë regjistruar 367 mijë e 235 dalje nga Shqipëria drejt Kosovës, një shifër rekord që dëshmon intensitetin e lëvizjeve sezonale në këtë korridor strategjik. Ky fluks i lartë shpjegohet kryesisht me kthimin masiv të diasporës kosovare për pushime, por edhe me rritjen e dukshme të turizmit ndërkufitar.
Një prirje interesante këtë sezon është edhe rritja e numrit të turistëve nga Turqia, të cilët po shfrytëzojnë tranzitin përmes Kosovës për të pushuar në bregdetin shqiptar. Kjo lidhet me kostot më të ulëta që ofron Shqipëria krahasuar me bregdetin turk.



