Ndryshe nga një vit më parë, kur dueli plot gola mes tyre u mbyll në barazim 2-2, përballja e të shtunës mbrëma në “Camp Nou” përfundoi me fitoren 2-0 të Barcelonës ndaj Celta Vigo. Një fitore e vulosur nga golat e Dembele dhe Messi, për të mbyllur këtë vit 2018 në krye të klasifikimit të La Liga në kuotën e 37 pikëve pas 17 javësh, 3 më shumë Atletico Madrid i vendit të dytë. Nga ana tjetër skuadra e Celta Vigo mbetet në vendin e 10-të në kuotën e 21 pikëve. Fitorja ndaj Celta-s çertifikoi pushime të qeta për katalanasit.
Përtej të gjithë protagonistëve, të shtunën në “Camp Nou” u përballën katër emra të veçantë, që spikasin mbi të gjithë: Luis Suárez, Messi, Iago Aspas dhe Maxi Gómez, katër nga pesë golashënuesit më të mirë të La Liga, me plot 43 gola. Në barazimin e vitit të kaluar 2-2, të katërt golat u realizuan pikërisht nga këta katër protagonist, prej të cilëve sot, në fitoren e Barças vetëm Messi përsëriti ritualin.
Nuk ka vonuar thuajse fare që Barcelona të shfaqë superioritetin, jo vetëm në lojë, por duke e materializuar epërsinë edhe në rezultat. Kështu, kur kishin kaluar vetëm 11’ minuta nga fillimi i lojës, Dembele ka dërguar topin në rrjetë për të kaluar ekipin blaugrana në avantazh. Katalanasit kanë shkëlqyer në atë që bëjnë gjithmonë: Messi shërben në krah për Jordi Alba, që shkëputet markimit në zonë dhe pason sërish për argjentinasin që gjuan në portë, por topi devijohet nga portieri, për të përfunduar në këmbët e Dembele, që e shtyn më pas në rrjetë, 1-0 për Barçan.
Në të 20’ miqtë kanë shansin që të barazojnë rezultatin, teksa kërkojnë një penallti për prekje të topit me dorë në zonë nga Lenglet, por arbitri bën shenjë që të vijojë loja, duke injoruar prekjen flagrante. Dhe nëse nuk shënon, atëherë do të pësosh, dhe këtë gjë dëshmoi Messi për Barçan. Në të 45’ argjentinasi ka dyfishuar rezultatin, sërish pas një kombinimi perfekt me Jordi Alba, që e ka nxjerrë të vetëm para portierit, dhe këtë herë numri 10 i katalanasve nuk ka gabuar. Asgjë nuk ka ndryshuar as në pjesën e dytë, me katalanasit që kanë mbajtur të paprekur portën e tyre, duke patur shanse të tjera për të thelluar avantazhin, por pa mundur të dërgojnë topin në rrjetë, për të mbajtur të paprekur rezultatin e vendosur në përfundim të pjesës së parë, 2-0 në favor të Barças.