Administrata tatimore shpjegon për publikun e gjerë pse po kalon në një sistem të ri të pajisjeve fiskale. Sipas saj, rritet mundësia e kontrollit dhe goditjes në kohë të evazionit, me anë të përdorimit të nje teknologjie, e cila nuk ekzistonte në vitin 2009, ku u implementuan për herë të parë në Shqipëri kasat fiskale.
Sipas Tatimeve, sistemi aktual i paisjeve fiskale në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve mundëson që të dhënat financiare të merren nëpërmjet transmetimeve të raporteve tatimore ditore. Aktualisht pajisjet fiskale transmetojnë të dhëna në sistemin qendror nëpërmjet GPRS, në fund të ditës së punës dhe jo në kohë reale.
Sistemi i instaluar në 2009, mbështetej në teknologjinë e asaj kohe, por nuk arrin standardet që kanë aktualisht shumica e vendeve të Bashkimit Europian, sidomos duke e vlerësuar në pikëpamje të efektivitetit të kostos si për taksapaguesit ashtu edhe për Qeverinë.
Qytetari
Ky sistem i ri do të krijojë një mekanizëm të mbikqyrjes në kohë reale, të pajisjeve fiskale që operojnë me para në dorë dhe atyre pa para në dorë. Ai mundëson për qytetarët që të mund të verifikojnë në kohë reale nëse fatura që kanë marrë, është raportuar në sistemin tatimor dhe për administratën tatimore kontroll efektiv dhe analizë të saktë e të thelluar të të dhënave tatimore.
Sistemi i ri i mundëson çdo qytetari të verifikojë menjëherë pas lëshimit të faturës, nëse ajo është raportuar në sistemin tatimor qendror. Ky proces realizohet duke skanuar me telefon ‘bar kodin’ unik të faturës dhe dërgimin e tij të menjëhershëm në departamentin përkatës të taksave.
Në çastin që departamenti i taksave merr kodin, do të përgjigjet duke konfirmuar nëse kodi përkatës ekziston në databazë bashkë me detajet e faturës përkatëse. Ky verifikim i mundëson qytetarëve të dinë nëse fatura për të cilën kanë paguar është raportuar në sistemin tatimor. I gjithë ky proces rrit transparencën në të bërit biznes dhe ndihmon qeverinë për të luftuar evazionin fiskal, duke qenë lehtësisht i verifikueshëm mashtrimi tatimor ose mos deklarimi i faturave.
Shteti
Për Administratën Tatimore, sistemi i ri jep mundësinë e analizës së qendërzuar dhe efektive, për të modeluar qasjen e modulit të riskut. Kjo do të thotë që sjelljet e dyshimta do të identifikohen lehtësisht dhe do të orientojnë identifikimin real të abuzuesve, duke shmangur inspektimet dhe kontrollet e gjeneralizuara, të cilat penalizojnë bizneset e rregullta.
Ndryshimi i teknologjisë është i domosdoshëm, për sa kohë paisjet aktuale mbështeten në teknologjinë 2G/3G dhe po zëvendësohen në të gjithë Europën. Për t’u siguruar që të shmanget varësia ndaj një modeli specifik teknologjik, sistemi i ri nuk mbështetet në një model konkret (p.sh. paisje Hardware ose Software), por në standarde të hapura që ofron aksesi me internetin.
Kjo qasje teknologjike do të thotë se Fiskalizimi është i bazuar në softëare dhe procesi mund të implementohet lehtësisht në të gjitha paisjet ekzistuese (pa patur nevojë për një paisje HW sekondare vetëm për të operuar brenda sistemit të fiskalizimit). Në terma afatgjatë kjo ul ndjeshëm kostot e teknologjisë për taksapaguesit.
Ku është përfitimi
Taksat – Mbledhje më e mirë e taksave në shkallë vendi, ku zëri kryesor mbetet Tatimi mbi Vlerën e Shtuar. Duke iu referuar rezultateve të arritura në vendet e tjera që zbatojnë këtë sistem, në mbledhjen e TVSH-së janë regjistruar rritje nga 10-15%, krahasuar me të ardhurat nga TVSH-ja, përpara aplikimit të këtij sistemi. Rritje priten edhe në kategori të tjera taksash (psh. Taksa mbi të Ardhurat).
Ulje e informalitetit – duke përmirësuar dy aspekte kryesore – raportimi i më shumë transaksioneve me para në dorë dhe ulja e transaksioneve të fshehura pa para në dorë, me një kontroll më të mirë të sistemit fiskal, do të reduktohet informaliteti në ekonominë shqiptare.
Rritje e efiçencës në raportimin tatimor – me më shumë informacion të mbledhur nga një tatimpagues, Administrata Tatimore do të jetë në gjendje t’i ofrojë një shërbim më të mirë tatimpaguesit, si plotësim paraprak i faturave të TVSH-së me të dhëna tashmë të gatshme të tatimpaguesit. Kjo do të përshpejtojë raportimin tatimor dhe reduktojë gabimet në këtë proces.
Përmirësim i kontrollit tatimor dhe verifikimit në terren – duke përdorur sistemin e fiskalizimit, mundësohet kontrolli dhe inspektimi tatimor mbi bazën e riskut, çka do të rezultojë në identifikimin e drejtëpërdrejtë të abuzuesve, duke shmangur kështu inspektimet në bizneset e rregullta.
Angazhimi qytetar – përmes verifikimit të faturave që paguajnë, – nëse janë deklaruar apo jo në sistemin tatimor, – vetë qytetarët ndihmojnë dhe bëhen pjesë e luftës kundër informalitetit dhe abuzimit të atyre që punojnë në të zezë. Në planifikojmë gjithashtu shpërblime konkrete, për të motivuar përfshirjen qytetare në këtë proces.
Digjitalizimi i ekonomisë – përmes përmirësive në programin softëare të fiskalizimit, zgjerohet mundësia për të shtuar digjitalizimin e proceseve në pikat e shitjes, veçanërisht për tregun e SME në vend. Kjo do të çojë në një ekonomi sa më pak burokratike, me lehtësi të shtuara në këmbimin e informacionit mes biznesit dhe qeverisë dhe bizneseve me njëri-tjetrin po ashtu.