Policia ka reaguar në lidhje me ngjarjen e rëndë në Klos, ku 32-vjeçari Hazbi Velsula masakroi me thikë kushëririn e tij, 65-vjeçarin Selim Velsula.
Sipas njoftimit, viktima dhe autori fillimisht janë konfliktuar fizikisht për motive të dobëta dhe më pas 32-vjeçari ka goditur me thikë kushëririn e tij duke i shkaktuar vdekjen.
Ngjarja e rëndë ndodhi në fshatin Xibër-Murrizë, mbrëmjen e së mërkurës dhe autori pas krimit u arratis drejt Tiranës. 32-vjeçari, banues në Allias, pas vrasjes së kushëririt të tij ishte strehuar në banesën e të vëllait. Në cilësinë e provës materiale, u sekuestrua thika që dyshohet se është përdorur nga autori.
Njoftimi i policisë:
Zbardhet ngjarja e ndodhur mbrëmjen e djeshme, ku u gjet pa shenja jete, dyshohet i vrarë me armë të ftohtë (thikë), shtetasi S.V. Vihet në pranga autori i vrasjes. Autori u kap në mesnatë nga shërbimet e DVP Tiranë, në Allias.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve kundër Personit në DVP Dibër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Mat, menjëherë pas ngjarjes së ndodhur më datë 11.06.2025, në fshatin Xibër-Murrizë, ku pranë pronës së tij u gjet pa shenja jete dhe me dëmtime në trup të shkaktuara me mjet prerës, shtetasi S.V., 65 vjeç, banues në këtë fshat, kanë organizuar punën për nxjerrjen e autorit përpara përgjegjësisë penale dhe për sqarimin e rrethanave të rastit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale hetimore, u zbardh dinamika e ngjarjes. Nga veprimet e kryera, dyshohet se shtetasit H.V. dhe S.V. fillimisht janë konfliktuar fizikisht për motive të dobëta dhe më pas shtetasi H.V. e ka goditur me armë të ftohtë (thikë) shtetasin S.V., duke i shkaktuar vdekjen.Po në vijim të veprimeve, falë një informacioni të marrë nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë për vendndodhjen e autorit të dyshuar, shërbimet e DVP Tiranë kapën në lagjen Allias dhe vunë në pranga autorin e dyshuar të ngjarjes, shtetasin H.V., 32 vjeç, banues në Allias, i cili pas krimit ishte strehuar në banesën e vëllait.


