Por, natyrisht, një vit pas vdekjes së tij, më 25 nëntor 2016, prania e Castros ndihet kudo në ishullin e Karaibeve.
Idetë e tij mësohen në shkolla dhe shumë nga thëniet e tij përdoren nga një publik i gjerë. Fotot e tij varen në shumë ndërtesa publike.
Për popullin kuban, nuk kanë ndryshuar shumë gjëra që nga vdekja e Castros.
“Shumë kohë përpara se të vdiste, Fidel Castro kishte nisur të tregonte një interes të veçantë ndaj programeve të qeverisë”, thotë Susanne Gratius, e shkencave politike në Universitetin e Madridit.
“Por, Fidel Castro ka qënë një figurë simbolike dhe deklaratat e tij ishin gjithmonë rreth asaj që ndodhte politikisht”, shton ajo.
Fillimisht, kishte shumë shpresa që presidenti Raul Castro do të përshpejtonte ritmin e reformave që kishte nisur Fideli.
Por, deri tani, reformat kanë ecur me një ritëm të ngadaltë, përfshirë hapjen e aktivitetit ekonomik të ishullit.
Reformat në vend kanë mbetur në procesin e shqyrtimit.
”Duke patur parasysh rivendosjen e lëkundur të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, deri tani nga ana e qeverisë kubane nuk është mbajtur ndonjë qëndrim në lidhje me këtë”, thotë Bert Hoffmann, i shkencave politike në institutin “Giga”.
“Lufta e Ftohtë është kthyer me ardhjen në detyrë të presidentit amerikan, Donald Trump duke rritur mbështetjen e konservatorëve në Kubë”, shton ai.
Trump shfuqizoi një sërë hapash për të lehtësuar kushtet në sektorin e turizmit që paraardhësi i tij, Barak Obama kishte ndërmarrë dhe ndaloi marrëdhëniet e biznesit me forcat e armatosura kubane, që kontrollojnë një pjesë të mirë të ekonomisë së përgjithshme në vend.
Pas sulmeve misterioze ndaj personelit të ambasadës amerikane në Havanë, Uashingtoni tërhoqi një pjesë të madhe të diplomatëve të saj.
“Më i dështuari në gjithë këtë ngjarje është Raul Castro”, tha disidentja kubane, Yoani Sanchez nëpërmjet faqes së blogut të saj.
“Përpjekjet për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Kubës dhe SHBA-së kanë dështuar. Të dyja vendet i janë kthyer kohës së Luftës së Ftohtë”, tha ajo.
Në muajin shkurt, Raul Castro do të japë dorëheqjen si president.
Kjo është hera e parë në gati 60 vjet që një prej liderëve që rrjedh nga familja Castro nuk do të jetë udhëheqësi kryesor i vendit.
Fidel Castro pati një influencë të madhe në Kubë, ndryshe nga drejtuesit e tjerë, dhe shumë kubanë nuk mund ta imagjinonin dot jetën e tyre pa liderin revolucionar.
“Ne e dinim që një ditë kjo do të ndodhte, por nuk na vinte mirë ta mendonim”, tha një banore me emrin Lourdes, e cila punonte në një treg në Havanë.
Për mbështetësit e tij, Castro ishte një hero që çliroi Kubën, u ngrit kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe promovoi progresin e shoqërisë.
Për kundërshtarët e tij, ai ishte një sundimtar i dhunshëm që i shtypte personat që kundërshtonin politikën e tij, nuk lejonte zgjedhjet e lira dhe shkelte lirinë e mendimit.
“Fidel Castro vdiq i lumtur”, thotë gazetari italian, Gianni Mina, i cili e njohu Castron nëpërmjet një intervistë që kishte zgjatur 16 orë.
Sipas këndvështrimit të tij, në vend nuk kishin ndryshuar shumë gjëra që nga vdekja e Castros.
“Kuba është kthyer në një vend që i kryen investimet brenda vendit, një aktivitet i përsëritur shpesh në historinë e saj me qëllim që të ruajë stabilitetin ekonomik në vend”, shton ai.
“Vendi është zhdukur nga vëmendja e mediave ndërkombëtare, por unë besoj se shembulli i revolucionit kuban vazhdon të ketë një rëndësi të madhe për Amerikën Latine”, tha Mina.
Castro mbetet figura kryesore e lëvizjes së majtë ndërkombëtare .
Në ditën e lindjes tij në gusht, mbështetësit e tij e përkujtuan dhe vlerësuan atë, përfshirë presidentin e Venezuelës, Nicolas Maduro dhe kreun e Bolivisë, Evo Morales.
Por, kuadri gjeopolitik ka qënë një ndër faktorët kryesor që kanë penguar hapat drejt socializmit në rajon.
Si rezultat i krizës ekonomike në Venezuelë, ishulli duhet të bëjë disa zgjedhje të vështira për të dalë nga situata e rëndë në vend.
Kubanët mund të qeverisin edhe pa Fidelin, por ata nuk e kanë ende të qartë se në cilin drejtim.



