Promovimi i traditës së prodhimit të rakisë së manit, ndërthurur me gatimet dhe muzikën tradicionale, janë jo vetëm një alternativë për banorët, por edhe perspektivë për zhvillimin e turizmit.
“Festa e Rakisë”, një festë e re në paketën e festave të Korçës, mblodhi ditën e mërkurë në fshatin Boboshticë turistë të shumtë, të cilët festuan dhe shijuan prodhimet vendase.
E përfshirë në programin “100 fshatrat”, Boboshtica dallohet për një natyrë të mrekullueshme me ajër dhe ujëra të pastra, bimësi të larmishme me shkurre, drurë shumëshekullorë frutorë, dushk dhe halorë, si edhe shumë bimë mjekësore.





