Prej 65 vjetësh në fronin e Britanisë, Elizabeth II është një ndër personazhet publikë më të famshëm në botë. Gjatë kësaj periudhe ka dhënë pak intervista dhe nuk flet shumë për jetën e saj personale. Është bërë mediatike për numrin e madh dhe ngjyrat e ndezura të kapeleve dhe veshjeve. “Business Insider” ka renditur disa fakte personale rreth mbretëreshës britanike, që shumë pak i dinë.
Elizabeth nuk ka shkuar asnjëherë në shkollë. Lilibet, siç e thërrisnin fëmijë, ka marrë leksione private në shtëpi, po ashtu si motra e saj më e vogël, Margaret.
Më 8 maj 1945, të rejat Elizabeth dhe Margaret morën leje nga prindërit për t’iu bashkuar popullit në festimet për fundin e Luftës II Botërore. Mbretëresha shpesh e kujton atë si një ndër momentet më të paharrueshme të jetës së saj. Ky episod është përmendur në filmin e vitit 2016 “A Royal Night Out”, i Julian Jarrold.
Në ditën e dasmës me princin Philip, kurora u thye pak para se të shkonte në altar. Argjendari i Oborrit u thirr me urgjencë për ta rregulluar. Më pas, gjithçka shkoi sipas planit.
Mbretëresha dhe bashkëshorti i saj janë kushërinj të tretë. Mbretëresha Viktoria është paraardhëse e Elizabeth nga ana e të atit, ndërsa për Philip nga ana e të ëmës.
Ditëlindja e vërtetë e saj është më 21 prill, por vendi e feston zyrtarisht më 11 qershor. Sipas traditës, sovranët që lindin në muajt e ftohtë e festojnë në ditët e verës, që moti të jetë i mirë për paradën.
Elizabeth ka mbretëruar aq gjatë, saqë 3 në 4 britanikë nuk kishin lindur kur ajo mori fronin. Mban rekordin si mbretëresha më jetëgjatë. E mori fronin pas vdekjes së të atit, në vitin 1952.
Gjatë 65 viteve në fron, Elizabeth ka njohur 14 kryeministra britanikë dhe 13 amerikanë.
Qeni i parë hyri në familjen mbretërore kur Elizabeth ishte e vogël, në vitin 1933. Që prej asaj kohe ka pasur 30 të tillë./city


