Alfred Peza
Pyetja që të vjen më shumë ndërmend këto ditë, kur ndjek nga afër zhvillimet në kontinent, është: A jemi në kushtet kur, në vend që të europianizohej Ballkani, rrezikojmë që të shkojmë drejt ballkanizimit të Europës? Në vend që të integrohen gjashtë shtetet e Europës Juglindore, a mos po rrezikohet,- nën shembullin e Katalonjës,- që të desintegrohen disa nga shtetet kryesore të vetë Bashkimit Europian? Kryepyetja që shtrohet në këtë rast, mund të formulohej edhe kësisoj: Integrimi vjen nëpërmjet desintegrimit, apo nëpërmjet qasjes më të shpejtë në procesin e përafrimit të shteteve që e aspirojnë këtë proces?!
Zhvillimet e fundit në Spanjë rreth referendumit të Katalonjës, janë një kulm i ri procesesh të filluar vite më parë. Ato e kanë pikënisjen pikërisht atëherë kur u bllokua edhe procesi i zgjerimit të unionit. Një tendencë që filloi me referendumet kundër Kushtetuetës së BE. Për tu pasuar më vonë me krizën ekonomike të vendeve anëtare të udhëhequra nga Greqia. Me rritjen e ekstremizmit dhe ksenofobisë. Me krizën e refugjatëve. E për të përfunduar me Berxit-in, ose e thënë më thjeshtë me referendumin (23 qershor 2016) që çoi në daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian.
Paralel me këto zhvillime kemi patur një hap pozitiv në Ballkan drejt integrimit, që lidhet me momentin e anëtarësimit të Malit të Zi në NATO. Ndërkohë që proceset e tjera duket sikur kanë mbetur në vend numëro. Podgorica dhe Beogradi po negociojnë anëtarësimin, ndërkohë që Shqipëria ende nuk e ka marë datën e çeljes së negociatave. Për Tiranën sinjalet vijnë gjithnjë e më kontradiktore, ndërkohë që Shqipëria është shumë më përpara Malit të Zi në kapitujt vendimtarë të reformës në drejtësi në lidhje me gjyqësorin, ndërkohë që Serbia duhet që të vazhdojë që ti kryejë këto reforma.
Ky ka qenë edhe thelbi i shqetësimeve të paraqitura nga Kryeministri Edi Rama, në dy intervistat e fundit për mediat e rëndësishme austriake dhe gjermane, në lidhje me proceset integruese në rajonin tonë. Ai e ka cilësuar krejtësisht të padrejtë, mënyrën sesi Brukseli po i qaset këtij procesin edhe me Shqipërinë edhe me vendet e tjera të rajonit. Ai e ka quajtur “çmenduri” frikën e pabesueshme të udhëheqësve europianë, të cilë e lidhin fillimin e negociatave të pranimit në union, me zgjedhjet në vendet e tyre apo me rebelimin e opinionit publik. Ai ka bërë përgjegjëse Europën, që po e bën procesin e zgjerimit gjithnjë e më të padrejtë e më pak të parashikueshëm. “Edhe BE-ja ka nevojë të refromohet”,- është shprehur Rama.
Vizita e ditëve të fundit e Presidentit të Shqipërisë Ilir Meta në Prishtinë, nxori në pah një tjetër problem të madh për këtë proces: Çështjen e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Presidenti Hashim Thaçi kërkoi dhënien e më shumë pasaportave shqiptare për qytetarët e vendit të tij. Më shumë se një kërkesë “naive”, ajo ishte një taktikë politike për ti tërhequr vëmendjen Bruskelit dhe për ti bërë presion, që të përshpejtojnë vendimin edhe për Kosovën. Të drejtën e lirisë së lëvizjes pa viza në hapësirën Shengen e kanë fituar tashmë edhe Gjerogjia, Moldavia dhe Ukraina. Fakti që Europa e lidh vendimin për vizat e Kosovës me çështjen e demarkacionit të kufirit të saj me Malin e Zi, thjeshtë tregon krizën e unionit.
Pas rikonfirmimit të Kancelares gjermane në zgjedhjet e fundit, fitores së Makronit në Francë dhe zhvillimeve më të fundit në Spanjë rreth Katalonjës, shtimi i pranisë Ruse dhe investimeve Kineze në rajonin tonë, është urgjente që të ketë një qasje të re, një strategji të re për zgjerimin në Ballkan. Ndryshe, fuçia e dikurshme e barutit nën dritën e rivaliteteve të reja planetare, rrezikon që në mënyrë figurative, ta shndërrojnë vetë Europën në një “bombë atomike.” Një gjë është e qartë në të gjithë këtë panoramë tashmë: Bllokimi i zgjerimit dhe frenimi i integrimit të Ballkanit në vend që të ndikojë në europianizimin e rajonit tonë, duket se po nxit “katalonjizimin” e vetë Europës.