Në këtë kuptim, arrestimet e fundit për ish-pushtetarët janë simptoma të asaj që është duke ndodhur, që në këtë moment duket ende e paqartë se çfarë qëllimi kanë, sepse në këto raste, edhe kur bëhet fjalë për vënien e drejtësisë, qëllimi se përse bëhet është mjaft i rëndësishëm, për të kuptuar se ku na çon një drejtësi e tillë.
Arrestimet e fundit të dy ish-drejtorëve, që i përkasin forcës politike sot në opozitë, rrezikojnë të përkthehen në arrestime me motiv politik, për të zhvilluar betejën e saj, që tashmë ka më shumë se dy vite që ka vetëm një objekt, atë të “dashurisë” për drejtësinë nga njëra apo tjetra palë.
Duke qenë se qytetarët shqiptarë kanë një uri për drejtësi, për shkak të mungesës së saj, atëherë përpjekja e politikës për ta përdorur drejtësinë dhe arrestimet për përfitime elektorale është i madh.
Nëse këto arrestime janë vërtet politike ashtu sikurse pretendon opozita dhe një pjesë e opinionit publik, apo erdhën si pasojë e një aksioni drejtësie të përgjithshme që do hetojë pushtetarët të saj dhe të mazhorancës, është kohë e pamjaftueshme për ta thënë këtë. Duhet të presim dhe të shohim.
Nëse tendenca vazhdon në këtë drejtim, ku hetohen dhe arrestohen vetëm pushtetarë të opozitës, atëherë gjendja është shqetësuese. Atëherë, garancia që dhanë ndërkombëtarët dhe mbi të gjitha SHBA, duke i shprehur mbështetje publike Arta Markut, nuk është gjë tjetër përveçse mbështetje politike për mazhorancën.
Megjithatë, këtë dilemë që është ngritur në raport me këto arrestime nuk mund ta zgjidhim tani, pa parë vazhdimësinë e punës së Prokurorisë. Por, ka një test të madh për drejtësinë për të treguar se vërtet është e pavarur nga mazhoranca. Është prova që ka ajo me çështjen Tahiri, nëse do të shprehë vullnetin për t’i shkuar deri në fund asaj apo do të bjerë pre e presionit politik.
Kushti i vetëm për Shqipërinë për hapjen e negociatave, me sa duket do të jetë lufta ndaj korrupsionit, këtë gjë theksonte raporti i Komisionit Europian për strategjinë e zgjerimit të BE. Luftë ndaj korrupsionit nuk mund të kuptohet ndryshe, përveçse hetimit të pushtetarëve të djeshëm dhe të sotshëm. Prandaj, edhe arrestimet e fundit dhe përpjekjet e prokurorisë me hapjen e çështjeve të nxehta apo rihapjen e disa dosjeve që kanë ngel në prokurori, duhen parë në këtë këndvështrim, ndryshe Shqipëria nuk ka asnjë shans të hapë negociatat. Por, kjo nuk do të thotë që prokuroria shqiptare të hetojë dhe arrestojë, sa për t’i hedhur hi syve Europës, për t’i bindur se këtu drejtësia e re, vërtet po funksionon.
Kjo nuk është ajo që kanë pritur shqiptarë për një kohë kaq të gjatë, por një drejtësi që nuk frikësohet nga presioni politik i mazhorancës së radhës. Prandaj, nëse vërtet prokuroria do të na mbushë mendjen se e ka marrë seriozisht vënien e drejtësisë njëherë e mirë, atëherë të na tregojë me fakte, pa toleruar asnjë pushtetar të çfarëdolloj ngjyre politike. Të shpresojmë dhe të presim!