Pas dorëheqjes së Ermal Onuzit, me urdhër të Ministrit të Brendshëm, Simon Zereci, me gradën Drejtues i Lartë dhe funksion Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Gardës së Republikës, është caktuar në detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Gardës së Republikës.
Simon Zereci që prej vitit 2013 ka mbajtur funksionin e rëndësishëm të Komandantit të Njësisë Speciale në Gardën e Republikës.
Kush është Simon Zereci
Gjatë karrierës së tij të gjatë ushtarake, është dalluar për përkushtimin dhe profesionalizmin e lartë, duke rrezikuar edhe jetën në krye të detyrës. Në shtator të vitit 1998 është plagosur gjatë shërbimit, teksa mbante funksionin e Zëvendëskomandantit të Kompanisë Operative.
Zereci ka kryer një sërë trajnimesh dhe kualifikimesh brenda dhe jashtë vendit në fushën e sigurisë, si: kurs për mbrojtjen e personaliteteve (VIP) në Egjipt; trajnim për sigurimin e personaliteteve të larta shtetërore me instruktorë amerikanë; program ndërkombëtar sigurie i zhvilluar nga specialistë të sigurisë amerikane; trajnim në teknikat e avancuara të vetëmbrojtjes “Krav Maga Maor”, e të tjerë.
Në vitin 2020 mori gradën Kolonel, e cila me sistemin e ri të gradave u konvertua në Drejtues i Parë. Ndërsa grada Drejtues i Lartë iu dha kur me urdhër të Ministrit të Brendshëm, u emërua Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Gardës.


