Apeli i Posaçëm ka lënë në fuqi masën arrest me burg për Kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj, pas dy seancave maratonë. Gjyqtari që dënoi ish-ministrin Tahiri, shpalli sot vendimin duke e lënë Veliajn në qeli, ku mbahet prej më shumë se një muaji nën akuzë për korrupsion pasiv e pastrim të parave. Veliaj kërkonte masë më të butë sigurie edhe kundrejt garancisë pasurore, por kërkesa u rrëzua nga Pëllumbi.
Pas seancës, avokati Maks Haxhia tha se SPAK nuk solli asnjë provë të re dhe se nuk mudn të lihet në burg personi më i votuar në Shqipëri.
“Nuk mund të aplikohej masa e arrestit me burg për njeriun më të votuar në Shqipëri dhe t’i thuash je person i rrezikshëm. Rrezikshmëria e personit është e lidhur me argumentin dhe mund për të kryer vepra të tjera penale, vepra të rrezikshme, ato që dëmtojnë jetën dhe shëndetin. Kurse këto lloj veprash penale me karakter administrativ. Është i njëjti material që ka qenë edhe në Gjykatën në Shkallë të Parë. Initmidim nuk është term procedural, term procedural është të prishësh provat. Presim që të ndodhë ndonjë çudi në Gjykatën e Lartë për ndryshimin e masës së sigurisë sepse nuk mund të mbahet në burg kryuebashkiaku me këto rrethana”, tha Haxhia.
Nga ana tjetër, gjyqtari i Posaçëm ka zbutur masën e sigurisë nga arrest me burg në arrest shtëpie për biznesmenin Elman Abule, i akuzuar për pastrim parash në çështjen e Veliajt. Abule, kërkoi masë tjetër me argumentin se mungesa e tij po i shkatërron biznesin ndërsa ka edhe arsye familjare.
Masa detyrim paraqitjeje është lënë në fuqi për 3 biznesmenët Gentian Sula, Meriman Palushi dhe Shkëlqim Fusha, të cilët akuzohen për korrupsion aktiv. Ky vendim, i hap rrugë Veliajt që t’i drejtohet Gjykatës së Lartë me rekurs.
Po sot, i njëjti gjyqtar Pëllumbi ka rrëzuar edhe një kërkesë të bashkëshortes së Veliajt, Ajola Xoxa, për heqjen e sekuestros së llogarive bankare. Xoxa, Fatmir Bektashi dhe Sokol Kryeziu nuk e kanë ankimuar masën detyrim paraqitjeje.


