Mediat serbe kanë vazhduar që të potencojnë deklaratat e forta të presidentit të Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, gjatë vizitës zyrtare treditore në Serbi.
Kreu i shtetit turk, së bashku me homologun e tij serb Aleksandër Vuçiç kanë vizituar kryeqendrën e krahinës së Sanxhakut, Novi Pazar, ku Erdogan ka bërë thuajse të njëjtën deklaratë si në Prizren por që u komentua me nota ligësie nga një pjesë e opinionit publik shqiptar.
Siç bën të ditur B92, nga Novi Pazari, Erdogan deklaroi se “Sanxhaku është vendlindja ime. Lumturia juaj është lumturia ime, dhimbjet tuaja janë dhimbjet e mija”.
I kapur për dore me Vuçiçin, Erdogan ka takuar krerët e bashkive jo vetëm të Novi Pazarit, por edhe të Rashkës, Kraljevos, Sjenicës, Tutinit, Prijepoljes, Varoshit të Ri dhe Pribojit.
Kurse Aleksandër Vuçiçi, ka bërë një deklaratë mjaft të pazakontë por që pati efekt të menjëhershëm në turmën e entuziazmuar nga vizita e kreut të shtetit turk.
“E di se nuk e kam as gjysmën e popullaritetit të presidentit të Turqisë, por kam mjaft kurajo për të deklaruar këtu para jush se jam i angazhuar që të punoj për të mirën e komunitetit tuaj. Puna jonë është që të arrijmë të bëjmë sa të mundemi për ju dhe të investojmë më shumë para”, tha presidenti serb në inagurimin e një rruge të rëndësishme lokale dhe vazhdoi: “ne duam ta lidhim më shumë këtë rajon me Beogradin, Sarajevën dhe Podgoricën. Detyra jonë është të ndërtojmë rrugë, ura, spitale kopshte dhe shkolla. Asgjë nuk është më e rëndësishme se ndërtimi i këtyre objekteve”.