Alfred Peza
Shqiptarët janë ndër shumë popuj të tjerë të vegjël nëpër botë, që kanë një të përbashkët tjetër përgjatë historisë mes tyre, mungesën e lirisë për shkak të luftrave, pushtimeve, copëzimeve dhe kërcënimeve nga më të mëdhenjtë. Pas luftrave botërore e rrëzimit të Murit të Berlinit, rikthimi i lirisë në ish- lindjen komuniste pas rivendosjes së pluralizmit dhe konsolidimit të sistemeve demokratike, u shoqërua edhe me revolucionin e teknologjive të reja digjitale. Ishte epoka e lindjes së kompanieve të reja në “silicon valley”, që sollën rrjetin e gjerë botëror ose e thënë ndryshe internetin, kompjuterave personale, celularëve inteligjentë e për të arritur tek sfidat e reja të rrobotikës, inteligjencës artificiale, sfidat e hapësirës dhe teknologjive të së ardhmes. E shoqëruar kjo me një klasë të re milarderësh të rinj super të pasur.
Një revolucion që nuk kishte se si të mos përfshinte edhe shqiptarët e Shqipërinë, duke u bërë tashmë edhe një mënyrë e re jetese nëpërmjet celularëve, kompjuterave, internetit, sistemeve digjitale e deri tek rrjetet sociale dhe mediat online. Në këtë mënyrë dimensioneve të lirive politike, demokratike, ekonomike, të lëvizjes së lirë të njerëzve, mjeteve, mallrave, ideve i’u shtua edhe mundësia e pakufizuar jo vetëm për të marë, por edhe për të dhënë informacion. Për të prodhuar në mënyrë individuale gjithësecili informacion, ide, komente, opinione dhe qëndrime për çështje dhe tema që deri dje ishin tabu, ose ishin pronë vetëm e pushteteve e të të pushtetëshmve.
Edhe kjo përmbysje kaq e madhe, e cila e ka ndryshuar kryekëput mënyrën dhe kulturën e jetesës sonë, e cila ka qenë e papërfytyrueshme deri pak vite më parë për shqiptarët dhe për Shqipërinë, është pjesë e një mega ndryshimi epokal global. Brenda një çerek shekulli, nga izolimi total shqiptarët kanë kaluar në hapësirat e një lirie pa limite, pa fre dhe pa kufizime. 25 vjeçarët e atëhershëm sot janë 50 vjeçarë. Ndërsa ata që lindën në liri, sot janë 20-30 vjeçarë. Duke u rritur në këtë mënyrë, si një brez i një epoke tjetër lirie. Një gjeneratë e re, me një kulturë, shkollim, mentalitet dhe ndjenjë krejt të re për lirinë gjthfarësh.
Nga sfidat e djeshme të mbijetesës nën diktaturën e egër komuniste, sfidat e sotme janë kryekëput të ndryshme, gati gati të kundërta. Sot perëndimi dhe bota e qytetëruar në përgjithësi, po përballen me sfidat e mbijetesës nën “diktaturën” e një lirie të pamatë. Sepse shoqëria e sotme në raport me lirinë e shprehjes, informacionit, të drejtën e informimit dhe të ushtrimit të lirive të tjera nëpërmjet tyre, ndodhet ndoshta në një provë që nuk e ka kaluar asnjëherë më parë. Shoqëritë e sotme, bota e sotme në raport me të drejtën e informimit, për herë të parë nga vertikale, janë shndërruar në horizontale. Për shkak të revolicionit të epokës digjitale, monopoli i informimit nga lart tek të pushtetshmit ka shkuar poshtë tek shoqëria, tek të gjitha shtresat dhe tek të gjithë individët.
Përfshtatja me këtë realitet të ri, duket se është një nga sfidat më të mëdha jo vetëm për shoqëritë me demokraci të brishta si kjo jona, por edhe në shoqëri me demokraci shumë më të konsoliduara se ne.
Një nga debatet më të mëdha të provokuara orët e fundit në SHBA, lidhet me një deklaratë të presidentit amerikan Donald Tramp me televizionet, që janë jo vetëm burimi kryesor i informimit dhe argëtimit të shoqërisë, por edhe një nga simbolet më të mëdha të së drejtës së patjetërsueshme të lirisë së shprehjes. Mediat ndërkombëtare i kanë vënë shumë diçitura, etiketime dhe tituj këtyre deklarata, për të cilat emëruesi i përbashkët shkon deri tek përcaktimi se presidenti i SHBA “sapo bëri njërin prej kërcënimeve më diktatoriale”. Ai ka kërcënuar se do të mbylli televizionin NBC dhe rrjetet e tjera televizive amerikane, duke thënë se ato shesin lajme të rreme.
“Me gjithë ato lajme të rreme që po dalin nga NBC dhe rrjetet tjera televizive, kur është momenti i duhur për t’ua ndaluar licencat? Shumë keq për vendin!”, shkroi Trump në profilin e tij zyrtar në Twitter.
Reagimi i Trump erdhi pas një kronike të NBC, në të cilin thuhej se Trump kishte kërkuar që arsenali bërthamor i SHBA-së të rritej dhjetëfish pas rishikimit të një broshure informuese e cila tregoi se arsenali bërthamor i SHBA-së ka pësuar rënie të qëndrueshme që nga vitet ’60 të shekullit të kaluar. Në këtë kronikë citoheshin tre zyrtarë amerikanë të cilët ishin prezent në sallë kur Trump i kishte bërë këto komente. “NBC i rremë e sajoi një artikull kinse unë kam kërkuar rritje dhjetëfish në arsenalin tonë bërthamor”, ka shkruar Trump.
NBC është një nga kanalet kryesore televizive amerikane dhe kjo nuk është hera e parë që presidenti amerikan përplaset me gjigandët mediatikë, duke filluar që nga CNN e me radhë. Luftrat dhe betejat e tij me gazetarët përfshijnë një listë tjetër mediash të rëndësishme me peshë ndërkombëtare, kombëtare e deri tek ato lokale. Ky shembull që vjen nga kryeqendra e demokracisë dhe nga njeriu më i rëndësishëm i planetit, tregon sesa të brishta janë sot ekuilibrat e lirisë për shkak të traditave demokratike, për shkak të lirisë dhe për shkak të revolucionit të teknologjive digjitale të informimit në një epokë si kjo e sotmja.
Eshtë lehtësisht e kuptueshme se kur ky problem ekziston në tempullin më të rëndësishëm të demokracisë, imagjinohet lehtë se asnjë shtet, popull dhe shoqëri tjetër, në shtete po aq, më pak ose aspak demokratike nuk është imun ndaj kësaj sfide të re. Aq më pak imune janë ato shtetet ku zhvillimet demokratike prej disa vitesh janë shoqëruar me rritjen e ndikimit të ekstremizmit të të gjitha kahjeve dhe formave. As Europa perendimore e demokratike nuk është më imune, aq më pak vendet e ish- lindjes komuniste të kontinetit dhe shtete, shoqëri e popujt e Ballkanit, ku problematika, përballja dhe sfidat e lirisë kanë qenë të përjetëshme përgjatë rrjedhave të historisë.
Shqipëria dhe shqiptarët sigurisht që herët ose vonë, do të përballen me këtë sfidë kurçiale të demokracisë dhe epokës sonë. Aq më tepër po të kemi parasysh historinë tonë të largët e të afërt dhe raportin e saj me lirinë. Sidomos me lirinë e fjalës, shprehjes, mendimeve, gjykimeve dhe opinioneve. Historia jonë e gërmave, e alfabetit, e shtypshkrimit, e leximit në gjuhën amëtare, e botimit të librave në gjuhën shqipe, e shkollave të të gjitha niveleve, e studimeve është një histori pothuajse bashkëudhëtare dhe bashkëmoshatare me shtetin. Një histori pak më shumë se një shekullore, ku gati në gjysmën e kësaj periudhe, popullsia ka qenë në masën mbi 90% analfabete.
Kjo e bën shumë më delikate raportin e shqiptarëve me lirinë e fjalës dhe të së drejtës universale dhe kushtetuese për informim. Edhe vetë pushtetet, institucionet demokratike, liderët politikë, partitë, shoqëria civile dhe aktorët e faktorët e tjerë kryesorë të shoqërisë, po kalojnë një periudhë shumë delikate dhe të rëndësishme në këtë drejtim. Në pamje të parë, për shkak të penetrimit të internetit në masë të madhe të popullsisë dhe të territorit, krijohet përshtypja se kjo liri i ka dhënë frutat e saj. Aq më tepër po të kemi parasysh se kjo ka sjellë një numër shumë të madh të hapjes dhe përdorimit të adresave në rrjetet sociale duke prodhuarf një fluks të paparë aktiviteti ne rrjet. Pa harruar këtu, mbi dy milionë adresat e facebook, mbi 30 mijë websitet në gjuhën shqipe, etj.
Deri tani, megjithë ulje ngritjet e raportit me këtë hapësirë të re të lirisë, në raport me të vërtetën, me ushtrimin e së drejtës dhe mundësisë për të eksploruar në botën e pafund të lirisë së informacionit dhe botës virtual gjërat duket se janë në ekuilibër dhe balancë. Sfidat janë përpara, ndoshta për tu parë atëherë kur si në shumë shtete dhe shoqëri të tjera, kur edhe për shkak të detyrimeve të intergrimit në BE, do të duhet që të hartohen dhe miratohen rregullimet e reja ligjore të fenomenit dhe këtij realiteti të ri. Raporti mes lirisë dhe ligjit në demokraci, sëbashku me vullnetet politike të liderëve siç ishte rasti i fundit i Presidentit Tramp, janë provat e zjarrit për të ardhmen.
afp.al