Adem Jashari nuk u lind më 28 nëntor 1955, por më 10 tetor 1955. Ka ardhur koha që Adem Jashari të mbrohet nga mbrojtësit e rrejshëm, nga ata që nuk e kanë njohur, nga ata që s’pranoi t’i takonte më shumë se njëherë, nga ata që e gënjyen, nga ata që e mashtruan. Nga baltosja Adem Jasharin duhet ta mbrojë edhe familja e tij.
Nga Enver Robelli
E quajtën komandant, por kur luftoi e lanë vetëm. Pas luftës e quajtën «komandant legjendar» dhe përfituan nga sakrifica e tij, nga miti i tij dhe nga mitizimi i tij. Kush ka ndjenjë gjuhësore e di se legjenda është përrallë, andaj t’i thuash një luftëtari «komandant legjendar» është tallje me të. Ja si e shpjegon Fjalori i Gjuhës Shqipe fjalën legjendë: «Trillim që përhapet me qëllime të caktuara për dikë a për diçka; diçka që nuk i ngjan fare së vërtetës, diçka e pabesueshme».
Filluan t’ia festojnë ditëlindjen më 28 nëntor, në Ditën e Flamurit dhe në ditën e shfaqjes për herë të parë në publik të UÇK-së, më 28 nëntor 1997, kur në fshatin Llaushë të Skenderajt po varrosej mësuesi Halit Geci, i vrarë nga policia serbe. Kishte njerëz që dyshonin në këtë ditëlindje të Adem Jasharit dhe sot studiuesi Nexhmedin Spahiu, pas një hulumtimi në librin amzë, shpalosi sekretin: Adem Jashari u lind më 10 tetor 1955, jo më 28 nëntor 1955.
Nuk ia manipuluan vetëm ditëlindjen, por ia baltosën edhe emrin: për t’ia veshur vjedhjes një fasadë patriotike e quajtën Aeroportin e Prishtinës «Adem Jashari». Ka ardhur koha që Adem Jashari të mbrohet nga mbrojtësit e rrejshëm, nga ata që nuk e kanë njohur, nga ata që s’pranoi t’i takonte më shumë se njëherë, nga ata që e gënjyen, nga ata që e mashtruan. Nga baltosja Adem Jasharin duhet ta mbrojë edhe familja e tij.
Adem Jashari nuk ishte figurë përrallash popullore. Ishte një fshatar kryengritës, besnik i traditës kryengritëse të rajonit të Drenicës, i cili sidomos gjatë shekullit të XX-të është shquar për rezistencë kundër regjimeve serbe e jugosllave. Për këtë rezistencë banorët e Drenicës janë ndëshkuar egërsisht nga të ashtuquajturat «pushtete popullore». Në fshatrat dhe qytezat e Drenicës është investuar shumë pak në infrastrukturë nga regjimi komunist. Tek në dekadën e fundit të ekzistimit të Jugosllavisë në këtë pjesë të Kosovës është hapur një ndërmarrje e madhe – Ferronikeli – që ka punësuar mijëra punëtorë. Për ironi, pas çlirimit të Kosovës, ishte një ministër nga Drenica (Bujar Dugolli), që e shiti këtë firmë për pesë pare të kuqe.
Literatura shkencore për luftën e Kosovës dhe dëshmitë e protagonistëve të kohës tregojnë se Adem Jashari i priu një sakrifice tragjike familjare pasi – nga njëra anë – Lidhja Demokratike e Kosovës dhe qeveria në ekzil nënçmuan rrezikun e eskalimit të situatës dhe nuk kuptuan se durimit të popullit në zonat rurale i kishte ardhur fundi. Nga ana tjetër Adem Jashari nuk mund të llogariste në përkrahje nga ana e eksponentëve të Lëvizjes Popullore të Kosovës dhe grupeve të armatosura, të cilat vepronin të shkapërderdhura, pa komandë qendrore dhe me mosbesim të madh ndaj njëri-tjetrit.
Lufta e fundit e Kosovës për liri ishte një improvizim i madh dhe një dështim i klasës politike për të marrë përgjegjësi politike dhe ushtarake dhe për të mbrojtur popullin. Adem Jashari udhëhiqte një grup të armatosur, i cili e la në baltë dhe tek pas rënies së tij në një betejë me pasoja tragjike ai fillimisht u quajt komandant i UÇK-së dhe më vonë «komandant legjendar». Ai dhe mbi 50 anëtarë të familjes së tij u flijuan për lirinë e Kosovës. Flijimi i tyre ishte jo vetëm demonstrim i trishtueshëm dhe rezistencë titanike kundër shtetit serb, por edhe protestë kundër klasës politike kosovare që më shumë bënte garë për pushtet se sa për luftimin e forcave serbe.
Kujtimi i Adem Jasharit sot duhet të bëhet duke marrë parasysh faktet historike, shkencore dhe dëshmitë bindëse të protagonistëve të kohës. Vetëm kështu, larg manipulimeve për interesa të politikës ditore, ai do të zë vendin e merituar në themelet e shtetësisë së Kosovës. Hapi i parë është që tani e tutje Kosova t’ia festojë ditëlindjen më 10 tetor.