Një 49-vjeçar është arrestuar pasi e kishte kthyer lokalin e tij në Pogradec në një “bazë” për shitje droge. Nën hetim u vu edhe një 15-vjeçar që kishte blerë lëndën narkotike.
Në pranga u vu shtetasi Kastriot Sulstarova pasi, siç thotë policia, gjatë kontrolleve në lokalin e tij në lagjen nr.1 në Pogradec iu gjet një sasi kanabisi. Po ashtu u procedua edhe i mituri, të cilit iu gjet një sasi e vogël e lëndës narkotike, që ia kishte shitur 49-vjeçari. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një sasi me lëndë narkotike, 3 celularë dhe një sasi lekësh.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Veprimtaria”. Shiste lëndë narkotike në lokalin e tij, kapet dhe vihet në pranga 49-vjeçari. Procedohet penalisht dhe një 15-vjeçar, i cili kishte blerë, një sasi me lëndë narkotike, tek pronari i lokalit. Sekuestrohen një sasi me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, 3 celularë dhe një sasi lekësh.Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Korçë, në zbatim të planit të masave të hartuar për vitin 2026, me objektiv parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar edhe në informacionet e marra në rrugë operative për një shtetas që shiste lëndë narkotike në lokalin e tij në Pogradec, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Veprimtaria”.


