Policia e Tiranës ka arrestuar një 30-vjeçar i cili ishte shpallur në kërkim pasi akuzohet se ka qëlluar me armë zjarri, në drejtim të dy shtetasve, në mars 2021, në Shkodër.
Ai u kap nga Forca e Posaçme “Shqiponja” dhe Komisariati i Policisë Nr. 2, gjatë operacionit policor të koduar “Arratia”.Gjatë këtij operacioni, në rrugën “Frang Bardhi”, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin tip “Benz”, me drejtues shtetasin Besim Perkola, 30 vjeç.
Gjatë kontrollit, në çantën e 30-vjeçarit, iu gjet një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak, si dhe një leje drejtimi e dyshuar e falsifikuar.
Pas verifikimeve të kryera, ka rezultuar se ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi në mars 2021, në Shkodër, ka qëlluar me armë zjarri, në drejtim të shtetasve M. D. dhe H. D. (vëllezër).
Në mars 2021 janë arrestuar edhe dy vëllezërit, pasi janë konfliktuar me shtetasin B. P.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.


