Pas zëvendëskryeministres Belinda Balluku, SPAK merr të pandehur edhe 5 vartësit e saj.
Bëhet fjalë për; Evis Berberin, ish-kreun e ARRSH-së, që ndodhet pas hekurave, Genian Gjyli, aktualisht kreu i ARRSH-së, Erald Elezi, drejtor i KESH-it, si dhe Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashica.
Balluku dhe 5 vartësit e saj, janë marrë të pandehur për çështjen e tunelit të Llagarasë.
SPAK thotë se, në cilësinë e ministres, Belinda Balluku ka kryer veprime që mund të kenë ndikuar në mënyrë të padrejtë në këtë proces prokurimi. Për këtë arsye, më 21 tetor 2025, SPAK i ka dërguar asaj njoftimin zyrtar për akuzën. Ministrja ka kërkuar shtyrje të paraqitjes, ndërsa prokuroria e ka ftuar të paraqitet kete te premte, më 31 tetor, në orën 15:00, për t’u njohur me akuzën dhe për të dhënë shpjegimet e saj.
Në njoftimin e tij SPAK saktëson se “deri në këtë fazë të hetimeve paraprake, faktet penale, objekt akuze në ngarkim të të pandehurës Belinda Balluku, kanë të bëjnë me veprimet e saj, në cilësinë e Ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për njërën nga procedurat e prokurimit, objekt i këtij hetimi, “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë”. Një formulim që qartazi lë të kuptojë se Prokuroria e Posaçme po heton dhe tenderë të tjera që përfshijnë Ministrinë e Drejtuar nga Balluku.


