Bota po kalon një situatë të vështirë për shkak të situatës së krijuar nga koronvirusi. Kemi parë shumë persona të cilët janë sensibilizuar dhe kanë dhuruar gjithçka që kanë pasur mundësi.
Kështu ka ndodhur edhe me një grup sipërmarrësish shqiptarë e kosovarë, të cilët kanë bërë një gjest të mrekullueshëm. Ata i kanë dhuruar një shumë prej 11 mijë euro rajonit të Venetos si gjest solidariteti e ndihme për emergjencën e pandemisë.
Me anë të një postimi në ‘facebook’ gazetarja Alba Kepi është shprehur se “Këta janë shqiptare! të thjeshtë, zemërgjere e punëtorë. Punojnë ndershmërisht e ndërtojnë jetën e tyre e të fëmijeve pa u ankuar, në një territor jo shumë të lehtë për emigrantet siç është veriu i Italisë,”.
Sakaq grupi i sipërmarrësve shqiptar dhe kosovar është pritur nga guvernatori i këtij rajoni, Luca Zaia i cili ka vlerësuar aktin e tyre.
“Sot prita disa sipërmarrës të komunitetit kosovar-shqiptar në Treviso e Provincia që kanë dhuruar 11 mijë euro në llogarinë e rajonit të Venetos si një shenjë solidariteti dhe mbështetjeje për emergjencën e Coronavirusit. Falenderim të pafund për këta djem, për sensibilitetin dhe solidaritetin që kanë treguar për Italinë dhe Veneton” thotë Zaia në foton e publikuar në rrjetet sociale.
Bajram Desku, 53 vjeçar një nga sipërmarrësit është shprehur se Italia ka bërë shumë për Shqipërinë dhe ne donim t’i vinim në ndihmë në këtë moment të vështirë.
“Italia ka bërë shumë per tokën tonë të origjinës” shpjegon Bajram Desku, 53 vjecar, “ndaj provuam të ndihmonim sadopak në këtë moment kaq kompleks”.