Fakte të reja lidhur me hetimin për vrasjen ish-policit Boran Bërçana dhe bashkëjetueses së tij Silvi Ndoci që tronditi tri ditë më parë jo vetëm Shkodrën por mbarë opinionin publik.
Mësohet se makina e autorëve të krimit është vjedhur në Kosovë dhe ky fakt është zbuluar përmes numrit të shasisë e motorit.
Sipas hetuesve, targat e automjetit ishin mbivendosur. Sakaq, është identifikuar pronari i kësaj makine, i cili po merret në pyetje nga efektivët e Kosovës. Pronari ka deklaruar se mjeti i tij ishte vjedhur disa ditë më parë dhe tashmë hetuesit kanë rënë në gjurmët e autorit të vjedhjes që me gjasë mund të jetë edhe autori i vrasjes së dyfishtë.
Në orën 1:15, duke u gdhirë e diel, çifti, bashkë me djalin e tyre dy vjeç i cili qendronte në sediljen e pasme të makinës hyri në lagjen “Naim Gjylbegu”.
Autori i vrasjes ndërkaq, ka parkuar makinën dhe ka pritur çiftin pranë hyrjes së pallatit. Sipas hetimeve të deritanishme, sapo autori i ka parë të afroheshin, ka qëlluar me breshëri plumbash. Në këto momente Bërçana ka tentuar të largohet duke ecur me makinë por është përplasur në tunelin e pallatit.
Ndërkaq, autori e ka ndjekur, dhe ka qëlluar me armë nga xhami i makinës. 21 plumba janë derdhur me breshëri mbi trupin e ish-efektivit dhe 6 të tjerë në trupin e bashkëjetueses së tij ndërsa fëmija i tyre 2 vjeçar qëndronte në sediljen e pasme të makinës dhe shpëtoi mrekullisht.
Pas ngjarjes, autori, shtatlartë, referuar pamjeve nga kamerat e sigurisë, është futur në mjetin e tij tip Benz C Class dhe është larguar.
Autori ende i paidentifikuar, i ndihmuar edhe nga një person tjetër, i ka vënë flakën makinës në dalje të qytetit ndërsa brenda saj u gjet edhe arma e tipit “scorpions”, me silenciator. Pikërisht për faktin që arma ishte pa zhurmë, askush nuk dëgjoi plumbat dhe e gjitha u mësua vetëm pas 6 orësh.


