Pak orë pasi policia arriti të mblidhte prova të mjaftueshme shkencore për të akuzuar Denis Demirin dhe Ardian Serezin si autorët e dyshuar të vrasjes së biznesmenit 64-vjeçar, Memli Begalla mbrëmjen e 14-shkurtit, afër banesës së tij në ish-bllok.
Duket se një nga të akuzuarit nuk eshtë person i panjohur.
Në 2014 PD, me anë të ish ministrit Flamur Noka, akuzonte ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, për lidhje me personat e përfshirë në trafikun e drogës. Një nga këta persona është edhe Ardian Serezi.
Më poshtë akuza e plotë:
“I ndaluari i djeshëm nga Policia e Gjirokastrës me një ton marijuanë, me destinacion Italinë, është një punonjës i Policisë së Shtetit, i emëruar nga Rilindja, me precedent penal, dhe njeri i afërt i Ministrit të Brendshëm.I ndaluari i djeshëm, banor i Kombinatit njihet për raportet e ngushta që ka me Tahirin, veçanërisht në fushatën e fundit elektorale, ku shërbente edhe si shoqërues i Ministrit të Brendshëm”, tha Noka. Ai përgëzoi forcat e Policisë së Gjirokastrës për aksionin e djeshëm. PD denoncoi edhe “një herë rilindjen në policinë e shtetit të personave të lidhur me krimin dhe me trafikun e drogës”. “Sasia e frikshme e drogës e kapur dje, dhe mënyra e maskimit të njeriut të afërt të z.Tahiri, tregon qartë se me Rilindjen në vendin tonë, linjat e trafikut të drogës të lidhura direkt me ministrin janë vendosur, dhe se ky mekanizëm, vërteton edhe një herë shqetësimin e autoriteteve italiane dhe greke për sasinë e marramendëse të drogës që po mbërrin nga Shqipëria në shtetet fqinje” tha ish-ministri. Ai i bëri thirrje Tahirit të bëjë publike marrëdhëniet që ka me Ardian Serezin, efektivi i policisë që u kap me 1 ton drogë në kamion.
“Ne i kërkojmë Ministrit të Brendshëm t’i tregojë publikut marrëdhëniet që ka me Ardian Serezin dhe kur është takuar për herë të fundit me të. Ne i kërkojmë Ministrit të Brendshëm, t’i tregojë qytetarëve, se kush janë kriteret që janë ndjekur për punësimin në Policinë e Shtetit, të trafikantit të drogës, një prej çunave të tij në Kombinat” përfundoi deputeti i PD-së, Flamur Noka.



