Përfshirja në trafikun e 1 ton kanabis në vitin 2014 është motivi i vrasjes së biznesmenit Memli Begalla. Prokuroria ka argumentuar në sallën e gjyqit se viktima konfliktin e kishte me Ardian Serezin për këtë çështje. Këtë të mërkurë Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë arrest me burg për Denis Demirin dhe ish-punonjësin e policisë Ardian Serezi në një seancë të zhvilluar me dyer të mbyllura.
Pas arrestimit të Serezit në 2014 për trafikun e 1 ton kanabis në Gjirokastër ai kishte marrë garancinë nga Begalla se do ta lironte shumë shpejt. Por kjo gjë nuk ka ndodhur pasi ish-polici u dënua me 6 vite e 8 muaj burg dhe vetëm, pasi kreu gjysmën e dënimit u lirua me kusht.
Për këtë Serezi akuzonte biznesmenin. Ai kontraktoi Denis Demirin, i cili dyshohet se është personi që ka qëlluar me një plumb në kokë 64 vjeçarin Begalla në 14 Shkurt. Ky i fundit sipas Prokurorisë është identifikuar, pasi ka hequr kapuçin pranë sheshit Willson ku dhe është fiksuar nga kamerat e sigurisë. Për këtë ngjarje është shpallur në kërkim dhe një person i tretë, i cili ka patur rolin e informatorit të Serezit mbi lëvizjet që kryente objektivi i tij Memli Begalla.


