• Breaking News
  • Politikë
  • OP-ED
  • Aktualitet
  • Ekonomi
  • Kulturë
  • Gossip
  • Sport
  • Jetë
AlpeNews
  • 25 June, 2026
AlpeNews

Tirana, Albania

25 June, 2026
  • Breaking News
  • Politikë
  • OP-ED
  • Aktualitet
  • Ekonomi
  • Kulturë
  • Gossip
  • Sport
  • Jetë
  • Follow
    • Facebook
    • Twitter
    • Youtube
    • Instagram
  • Drejtësi
  • Kronikë
  • Media
  • Reportazh
EKSKLUZIVE/ Të metat e Kodit të Drejtësisë Penale për të Miturit dhe mungesa e specializuar e trupës gjykuese
Home
Intervista

EKSKLUZIVE/ Të metat e Kodit të Drejtësisë Penale për të Miturit dhe mungesa e specializuar e trupës gjykuese

21 January, 2018 Redaktor2 Aktualitet, Drejtësi, Ekskluzive, Intervista

Ka hyrë në fuqi Kodi i Drejtësisë Penale për të Miturit në Shqipëri. Edhe pse duket si një kopje e keqe e Kodit të Kosovës, ka ende mangësi në zbarimin e tij, siç mund të jetë trupa hetuese, mbrojtëse dhe gjykuese ndaj të miturit. Në një intervistë ekskluzive për AlpeNeës.al avokati Jordan Daci shpjegon risinë e këtij Kodi dhe ndryshimet emergjente që duhet të pësojë.  

Intervistë me Avokat Prof. Asoc. Dr. Jordan DACI

Hyn edhe në Shqipëri në fuqi Kodi i Drejtësisë Penale për të miturit. Në cilat pika mendoni se do të ndërhyjë ky kod dhe do t’i ndihmojë të miturit dhe a ka ngjashmëri me simotrën e tij në Kosovë?

Së pari duhet thënë që ky ligj, sikurse thuajse të gjithë ligjet e ashtuquajturës “Paketës së reformës në drejtësi”, kanë kopjuar masivisht rregullat që ekzistonin më parë, si dhe janë kopje të pjesshme dhe shpeshherë kopje  të ndryshuara keq të kodeve të huaj. Për shembull, në gjykimin tim, Kodi i Drejtësisë për të Mitur i Kosovës, i cili është miratuar që në vitin 2010, është shumë herë me i mirë dhe mendoj që një pjesë e Kodit tonë është kopjuar me ndryshime të gabuara nga ky kod. Vetëm për të treguar një dallim, tek ne dënimi maksimal është 12 vjet burgim, ndërsa në Kosovë, burgimi për të mitur nuk mund të shqiptohet në kohëzgjatje më pak se gjashtë (6) muaj as më shume se pesë (5) vjet dhe shqiptohet në muaj dhe vite të plota. Maksimumi i burgimit për të mitur është dhjetë (10) vjet për vepra të rënda penale të dënueshme me burgim afatgjatë, ose kur i mituri ka kryer së paku dy (2) vepra penale në bashkim, ku secila është e dënueshme me burgim prej më shumë se dhjetë (10) vjet. Në fakt, kjo do të thotë që referuar burgimit afatgjatë, i cili nënkupton 35 vjet burgim, mundësia që një i mitur të dënohet në Kosovë me 10 vjet është shumë e kufizuar në numrin e veprave penale. Ndërkohë, në Shqipëri, në të shumtën e rasteve i mituri do të mund të dënohet më shumë se 5 dhe deri në 12 për shkak të ashpërsimit të pakuptimtë dhe anti-kushtetues në gjykimin tim të shumicës së dënimeve nga deputetë analfabet në fushën e drejtësisë dhe posaçërisht asaj penale që janë orientuar keq nga ndonjë “usta politik” dhe ku me Kodin Penal fatkeqësisht vazhdon të bëhet politikë.

Gjithsesi, ky Kod i cili shpreh frymën e përgjithshme të Kushtetutës dhe akteve të tjera ndërkombëtare i ndihmon të miturit në shumë pika, po ku do të veçoja posaçërisht: 1. Masën e shmangies nga ndjekja penale; 2. Kufizimin e zbatimit të masës së sigurimit personal “Arrest në burg” apo masave të tjera të rënda të sigurisë; 3. Mbrojtjen dhe trajtimin e veçantë për pjesëmarrësit e mitur në proces, si dëshmitar, viktima, apo të pandehur; 4. Rregulla të posaçme për pyetjen, ndalimin, arrestimin. 5. Mbikëqyrje çdo një muaj të masave të sigurisë nga Gjykata; 6. Kërkesën e specializimit të posaçëm për gjyqtarët, prokurorët dhe mbrojtësit; 7. Ndihmën e detyrueshme të psikologut, mbrojtjes, kujdestarit etj; 8. Afate më të shkurtra gjykimi; 9. Zbatimin e alternativave të dënimit me burgim, etj.

A janë vendosur më përpara masa e sigurisë “Arrest me burg” për të miturit? Në cilat raste mund të vendoset kjo masë?

Për fatin e keq, në vendin tonë, praktika e vendosjes së masave të sigurisë është tërësisht e gabuar dhe në kundërshtim të hapur me ligjin. Në mbi 90 apo 95% të rasteve, prokuroria kërkon caktimin masën e sigurisë personale “Arrest në burg” dhe gjykata nuk bëjnë asgjë tjetër veçse veprojnë si “Noter” të prokurorisë duke pranuar këto kërkesa.  Në këtë kuadër, edhe ndaj të miturve është vepruar pa asnjë dallim dhe ka pasur plot raste kur të miturit kanë qëndruar në paraburgim bashkë me të rritur dhe për vepra penale relativisht të lehta. Pra pak ose fare pak dallim është bërë për të miturit në këtë aspekt. Me hyrjen në fuqi të Kodit të Drejtësisë për të Mitur, tani masa e sigurisë personale “Arrest në burg” mund të vendoset vetëm:

“Përveç parashikimeve të nenit  228, të Kodit të Procedurës Penale, masa e arrestit në burg mund të vendoset për të miturin vetëm si një alternativë e fundit dhe vetëm nëse ekziston edhe ndonjë nga kriteret e mëposhtme: a) sanksioni i parashikuar për veprën penale, për të cilën ai akuzohet është me burgim dhe ka minimumin e dënimit mbi 7 vjet; b) masa është e domosdoshme, sepse i mituri: i) përbën rrezik serioz për të dhe/ose për të tjerët dhe ky rrezik nuk mund të mënjanohet me ndonjë mënyrë tjetër; ii) përpiqet t’i shmanget drejtësisë.”

Zbatimi i masës së arrestit në burg për të miturit kërkon që çdo muaj nga zbatimi i vendimit të arrestit gjykata edhe kryesisht, pasi dëgjon palët, vendos vazhdimin, zëvendësimin ose revokimin e masës. Ndërkohë, në çdo rast, Prokurori ka barrën e provës për të arsyetuar vazhdimin e arrestit në burg. Një parashikim i rëndësishëm është edhe ai që përcakton se i mituri nuk mund të mbahet në paraburgim më shumë se gjysma e kohës së paraburgimit të caktuar për të rriturin, sipas Kodit të Procedurës Penale. Lidhur më masën e sigurisë personale “Arrest në burg”, gjykoj se mënyra e formulimit të nenit 86, sipas germave a) dhe b) do të lënë vend për interpretime subjektive dhe kufizim të efekteve pozitive që është përpjekur të sjellë ky Kod. Ndërkohë, për fatin e keq referuar masës së dënimit që ka si minimum dënimin mbi 7 vjet, besoj që praktikisht zgjerohet masa e zbatimit të kësaj mase sepse numri i dispozitave që kanë këtë dënim si minimum është relativisht i madh. Për mendimin tim do të kishte qenë mirë dënimi në minimum të ishte 10 vjet.

A do të dalin nga loja avokatët kryesisht (për çështjet e të miturve), kur në fakt ligji kërkonë një trupë të specializuar për të marrë në hetim, mbrojtje dhe gjykim të miturit?

Sipas Kodit edhe mbrojtësi, duhet të jetë i specializuar për drejtësinë e të miturve dhe kjo vlen për mbrojtësit kryesisht dhe ato që zgjidhen, por me të drejtë i është lënë mundësia që kujdestari etj, të caktojë edhe një mbrojtës tjetër. Lidhur me mbrojtësit kryesisht, unë kam mendimin tim që shumica e tyre përbëhen nga mbrojtës të paaftë profesionalisht për të ofruar mbrojtje sipas ligjit si madhorët ashtu edhe për të miturit. Niveli i mbrojtësve kryesisht është në të shumtën e rasteve skandaloz dhe ende më skandaloze është lejimi i tyre nga organi procedues për të mbrojtur subjektet e procedimit penal. Gjithashtu, ka edhe nga ata që në shkelje të hapur të interesave të të mbrojturit prej tyre, ligjërojnë veprimet e paligjshme të organit procedues kryesisht organit të hetimit, por ndonjëherë edhe të gjykatave, në kurriz të të drejtave të personi të mbrojtur prej tyre për të përfituar në këtë mënyrë pagesën e tyre dhe për të siguruar thirrjen përsëri në raste të ngjashme. Këta mbrojtës nuk kanë as dinjitet profesional dhe pranojnë të realizojnë mbrojtjen pa u njohur me aktet ose pas një njohje thuajse banale të atypëratyshme… Gjykoj që ka ardhur koha që nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë të ndërmerren procedime disiplinore të ashpra për këto raste të cilëve duhet t’ju hiqet licenca për të ushtruar profesionin e avokatit. Shkurt, këta janë një turp i avokatisë dhe shpresoj që të marrin atë që meritojnë sa më shpejt që të jetë e mundur.  Me Kodin e ri, por edhe me K.Pr.P. ndihma e mbrojtësit në rastin e procedimit të të miturit ka qenë dhe është e domosdoshme. Caktimi i tij nga organi procedues bëhet menjëherë dhe asnjë veprim nuk mund të bëhej dhe as të bëhet pa praninë e mbrojtësit. Gjithsesi, ka qenë dhe besoj do të vazhdojnë të mbeten problem,  veprimet e policisë nga momenti i shoqërimit, ndalimit ose arrestimit të të miturit dhe deri në marrjen e hetimit nën kontrollin e Prokurorit. Gjatë kësaj kohe është abuzuar gjithmonë si me të miturit ashtu edhe me madhorët dhe asnjëherë nuk është respektuar e drejta për të marrë kontakt menjëherë me një mbrojtës. Në këtë këndvështrim, ka nevojë që të sigurohet zbatimi me korrektesë i standardeve ligjore dhe etike për mbrojtjen në përgjithësi dhe për mbrojtjen e të miturve në veçanti, si dhe ndëshkimi deri me burgim, i oficerëve të policisë dhe anëtarëve të tjerë të organit të hetimit të shkelin këtë kod dhe ligjin në përgjithësi gjatë hetimit. Besoj që Shkolla e Avokatisë do të organizojë edhe kualifikime të vazhdueshme dhe të posaçme për mbrojtjen e të miturve, por mbi të gjitha duhet të sigurohet që Prokuroria dhe Gjykata të heqin dorë nga mentaliteti i deritanishëm dhe të zhvillojnë dhe respektojnë më tej parimet mbi të cilat bazohet drejtësia për të mitur.

Cilat janë veprat për të cilat duhet të jepet dënimi me “Burgim”. Po ato për të cilat duhet të caktohet dënimi me “Gjobë” apo alternativat e tjera të dënimit me burgim?

Dënimi me “Burgim” ndaj një të mituri mund të zbatohet në rast se ai ka kryer një vepër penale për të cilën minimumi i dënimit të parashikuar është 7 vjet dhe kur ky dënim është i nevojshëm për shkak të natyrës, rrezikshmërisë së lartë shoqërore të veprës penale dhe shkallës së fajësisë.  Për të miturin dënimi me burgim nuk mund të jetë më shumë se gjysma e dënimit që parashikohet për veprën penale të kryer, por jo më shumë se  12 vjet. Për përcaktimin e masës së dënimit për të miturin, gjykata merr parasysh dhe i kushton vëmendje të veçantë të gjitha rrethanave që lidhen me shkallën e pjekurisë së të miturit dhe kohën që nevojitet për edukimin dhe formimin profesional. Megjithatë, në varësi të shkallës së fajësisë, dënimi mund të jetë më i shkurtër, kur vlerësohet se është i mjaftueshëm për të arritur qëllimin e tij. Sikurse shikohet, në krahasim edhe me Kodin e Kosovës të shpjeguar në pyetjen e parë, përmirësimi i sjellë nga Kodi i Drejtësisë për të Mitur në lidhje me zbatimin e dënimeve është i mirë, por do të duhej të siguronte një regjim ende më të favorshëm dhe të kufizonte më shumë masën e dënimit maksimal të dënimit me “Burgim” që mund të jepej. Rrethi i veprave që lejojnë dënimin me “burgim” është relativisht i madh për shkak të marzhave të dënimit që parashikon Kodi, por nga ana tjetër, kriteret subjektive që lejojnë zbatimin e burgimit, besoj që do të çojnë në një përdorim më të gjerë të këtij dënimi sesa ka qenë qëllimi i ligjvënësit dhe për këtë do të kontribuojë edhe mentaliteti krejtësisht jo human që mbizotëron në organin e akuzës dhe gjykatave në tërësi, por edhe i idesë krejtësisht komuniste që i vlerëson gjykatat pozitivisht bazuar në numrin e fajësive të dhëna dhe dënimeve relativisht të rënda të dhëna, kur në fakt çdo gjykatë demokratike do të krenohej jo me numrin e dënimeve, por me numrin e pafajësive që ajo ka dhënë.

Ndërkohë, dënimi me “gjobë” mund të zbatohet për një të mitur nëse ka të ardhura monetare nga një burim i ligjshëm. Në rastet kur gjoba i vendoset një të mituri, masa e saj është sa gjysma e gjobës që do t’i jepej një të rrituri në të njëjtat kushte, sipas parashikimeve të Kodit Penal. Gjithashtu, gjykoj që masa e gjobës duhet të ishte jo gjysma e shumës për një të rritur, por duhej të ishte vendosur një shumë maksimal pasi për të rritur gjoba maksimale parashikohet të jetë 10 milion lekë çfarë nënkupton që një i mitur të paguajë një gjobë maksimale 5 milion lekë, shumë kjo tepër e madhe dhe e palogjikshme për një të person nën 18 vjeç që s’mund të ketë të ardhura të këtij niveli. Në këtë këndvështrim, del në pah qartë që shpesh herë zgjidhjet e parashikuara në Kod nuk janë rrjedhojë e një analize të gjithanshme dhe të kujdesshme, por vetëm zbatim shabllon i disa rregullave që kanë ekzistuar pa pasur parasysh karakteristikat e moshës dhe faktorët e tjerë të ndërlidhur. Pra do të ishte e udhës që të themi maksimumi i gjobës që të paguhej të ishte një shumë fikse maksimumi 700  mijë lekë etj.

Lidhur me alternativat e tjera të dënimit me burgim, sigurisht që burgimi dhe gjoba duhet të jenë përjashtim dhe rregulli i zakonshëm do të duhej t’ju jepte përparësi gjithmonë masave alternative të cilat janë zgjeruar në krahasim me ato që parashikon Kodi Penal dhe një pjesë e tyre janë për tu marrë si shembull  dhe për t’u zbatuar edhe ndaj të rriturve. Gjykoj që masat alternative të burgimit

Është një Kod i ri, a ka nevojë për ndryshime?

Ndonëse është një Kod krejtësisht i ri dhe i paprovuar, përsëri mendoj që ka vend për korrigjime dhe përmirësime. Disa nga këto do të duhej të ishin në lidhje me regjimin e trajtimit dhe dënimeve për të miturit e Ri ose Madhorët e rinj që parashikojnë legjislacionet e vendeve të tjera demokratike. Ndonëse është kopjuar si ide nga Kodi i Kosovës ose kodet e tjera bashkëkohore, në fakt formulimi i rregullave mbi këtë kategori në Kodin e RSH, është krejtësisht i pakuptimtë formulimi i pikës 2, të nenit 4 të Kodi ku thuhet se: “2. Në rastet e parashikuara në nenin 27, pika 5, të këtij Kodi, ky Kod zbatohet edhe për një person të moshës nga 18 deri në 21 vjeç, nëse ky është i pandehur për një vepër penale të kryer kur ka qenë i mitur.” Ndërkohë, pika 7 e nenit 3, parashiko: “I ri” është çdo person nga mosha 18 deri në 21 vjeç që akuzohet për kryerjen  e një vepre penale, kur ka qenë i mitur.”  Pra praktikisht, formulimi i gabuar lejon të kuptohet një rregullt që nuk përfshin në trajtimin favorizues personat e Ri në moshën 18-21 vjeç që do të duhej të ishte qëllimi. Ndërkohë, edhe pa këto parashikimi, edhe me Kodin Penal të deritanishëm të zbatuar edhe për të miturit, si dhe parimeve, ndaj madhorit që ka kryer veprën penale si i mitur, zbatoheshin rregullat për të mitur. Nga ana tjetër, “I Riu” ose “Madhori i Ri” në vendin tonë duhej të gëzonte një trajtim të veçantë sikurse p.sh. në Kosovë ku parashikohet shprehimisht se:

“Shqiptimi i masave ose i dënimeve ndaj madhorit të ri për vepër penale të kryer si madhor i ri 1. Në procedurën gjyqësore të zbatuar ndaj madhorit të ri i cili nuk ka arritur moshën njëzetenjë (21) vjet për vepër penale të kryer si madhor i ri, gjykata mund të shqiptojë masë ose dënim në pajtim me nenin 7 të këtij Kodi, nëse çmon se qëllimi që do të arrihej me shqiptimin e burgimit gjithashtu do të arrihej edhe me shqiptimin e masës ose dënimit, duke marrë parasysh rrethanat nën të cilat është kryer vepra penale, mendimin e ekspertit lidhur me zhvillimin psikologjik të madhorit të ri dhe interesin e tij më të mirë. 2. Masa ose dënimi i shqiptuar mund të zgjasë derisa personi të arrij moshën njëzetetre (23) vjet.”

Ndryshimet e tjera ose përmirësimet, do të ishin në lidhje ngritjen e institucioneve riedukuese sikurse janë në të gjithë botën, shkurtimin e afateve të hetimit pasi sot janë njëlloj sikurse në K.Pr.P. ndonëse i kanë shkruar dhe prezantuar si afate të ndryshme pasi në thelb janë 3 muaj dhe 6 muaj sipas nenit 75/a të K.Pr.P. Nga ana tjetër, Gjykatat Kundër Korrupsionit etj, s’kanë dhe s’duhet të kenë asnjë lidhje me të miturit qoftë edhe për afatet që ju referohet Kodi për të Mitur. Kjo tregon midis të tjerash “mbinatyralizimin”, mitizimin dhe absurditetin që ju vishet këtyre gjykatave që duket sikur të jenë të projektuara për të “masakruar” njerëzit më shumë sesa për të dhënë drejtësi sipas parimit të humanizmit dhe parimeve të tjera. Sigurisht, duhet të shkurtohet edhe masa maksimale e dënimit me burgim në 10 vjet dhe të zvogëlohet edhe numri i veprave penale për të cilat do të zbatohej dënimi me burgim më kritere objektive dhe jo subjektive sikurse janë sot duke ndryshuar marzhat e dënimeve që merren si pikë referimi etj. Pa dyshim që ka vend edhe për ndryshime dhe përmirësime të tjera.

 

 

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article Një ditë vjen një kohë kur quhesh ZONJË. Ta tregojnë perlat... (FOTO)
Previous article SERIE A/ Mbyllen pjesët e para, një Lazio i 'ÇMENDUR' në këto 45 minuta. REZULTATET

Redaktor2

Postime të ngjashme

ADN-JA DHA PËRGJIGJEN PËRFUNDIMTARE/ Eglant Koçi përcillet nesër për në banesën e fundit Aktualitet

ADN-JA DHA PËRGJIGJEN PËRFUNDIMTARE/ Eglant Koçi përcillet nesër për në banesën e fundit

TRONDITET KAVAJA/ 76-vjeçari vret me thikë vëllain e tij Aktualitet

TRONDITET KAVAJA/ 76-vjeçari vret me thikë vëllain e tij

KAPRIÇOT E MOTIT/ Stuhi rrebeshi edhe në Korçë, vështirësi në qarkullim drejt Pogradecit Aktualitet

KAPRIÇOT E MOTIT/ Stuhi rrebeshi edhe në Korçë, vështirësi në qarkullim drejt Pogradecit

Facebook Comments

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

  • Breaking News
  • Politikë
  • OP-ED
  • Aktualitet
  • Ekonomi
  • Kulturë
  • Gossip
  • Sport
  • Jetë
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të Drejtat e Rezervuara
KONTAKT