“Talk show: Para dhe pas ekranit” është botimi më i fundit qe i prezantohet lexuesve me autor gazetarin Elvin Luku dhe shtëpinë botuese “Pegi”. Në intervistën e parë pas promovimit të tij, dhënë për portalin AlpeNews.al, autori flet për punën kërkimore dhe problematikat e programeve talk show. I pyetur rreth risive të botimit, gazetari Luku u shpreh se ky është libri i parë që studion zhanrin e talk showt, formatit më të përhapur në ekranet shqiptare. Por ai u ndal dhe te disa të dhëna nga anketimet dhe na shpjegon se pse emisionet talk show vijojnë të qëndrojnë në treg edhe pse një pjesë dërrmuese e tyre janë pa sponsor gjeneral.
Sa material, intervista, apo kërkime tu deshën për të finalizuar këtë botim?
Në fakt, botimi është rezultat i një pune afro pesë vjeçare. Që në nisje të shkollës doktorale, synimi im kryesor ishte që teza ime të botohej edhe për një publik më të gjerë, përtej atij akademik. Aktualisht, besoj që ia kam dalë të arrij pritshmëritë e mia, pjesa tjetër i mbetet lexuesit dhe gazetarëve.
Për t’u futur më shumë në detaje, rreth pyetjes suaj, për të zhvilluar këtë analize janë kryer rreth 26 orë intervista dhe anketime me 31 moderatorë, autorë dhe kryeredaktorë të programeve talk show. Intervistat kanë pasur 15 pyetje të hapura, të cilat kanë qenë të njëjta për të gjithë të intervistuarit, por krahas tyre ka pasur edhe pyetje specifike për programe të ndryshme. Këta drejtues televiziv kanë qenë pjesë edhe e një anketimi me 75 pyetje. Ato kanë qenë të njëjta për të gjithë moderatorët. Të dhënat e siguruara nga pyetësorët janë përpunuar në tabela dhe grafikë.
Janë kryer mbi 234 orë monitorime të emisioneve dhe komunikimit në rrjetet sociale për periudhën prill-qershor 2014, prej të cilave kanë dalë elemente përmbajtësore dhe të dhëna statistikore, që janë shfrytëzuar gjatë analizës së programeve të këtij zhanri televiziv.
Për vështrimin historik të këtij botimi janë shfrytëzuar burime parësore materialesh arkivore, të siguruara në televizionet e sipërcituara, si skedat e programeve talk show, dokumente dhe raporte lidhur me këtë zhanër televiziv, ligje, vendime dhe raporte të siguruara në Autoritetin e Medias Audiovizive, emisione video të marra nga arkivat fizike e ato në YouTube për programet shqiptare dhe ato të huaja, fotografi të marra nga arkivi i emisioneve e i moderatorëve, si dhe kontakte e biseda me drejtuesit e këtyre talk show-ve, para dhe pas kuintave.
Gjithashtu janë shfrytëzuar dhe burime të tjera materialesh, si: botime e monografi mbi historikun e talk show-t në botë dhe atë të televizioneve në Shqipëri, artikuj dhe të dhëna sasiore të botuara në revista shkencore, të dhëna nga adresat zyrtare në internet të televizioneve, shkrime, opinione dhe intervista në median vizive, shtypin e shkruar dhe atë në linjë për emisionet talk show. Analiza plotësohet me një përpunim të të dhënave të audiencës për këtë zhanër televiziv, të cilat janë siguruar nga kompania “Abacus Research”. Gjithashtu, botimi është plotësuar edhe me përqasje krahasuese të tarifave zyrtare të reklamave për periudhën shtator-dhjetor 2013, për tre televizione: Top Channel, TV Klan e Vizion Plus.
Kritika mbi televizionin dhe zhanrin talk show mbështetet në një bibliografi të pasur, veçanërisht sa i takon analizës teorike të gjinisë dhe autorëve të komunikimit. Ai ka si referencë 74 monografi dhe botime studimore, 5 doktoratura, 57 artikuj shkencorë, etj.
Mund të na thoni disa nga emisionet që ke marr në studim?
Në parantezë dëshiroj të theksoj se ky libër ndalet veçanërisht te programet talk show në Shqipëri gjatë periudhës shtator 2012-qershor 2014. Megjithatë, nuk lihen jashtë vëmendjes zhvillimet e reja të rëndësishme para e pas kësaj periudhe apo dhe vështrimi historik, sipas nevojave të tij. Koha e sipërcituar përmbledh dy sezone televizive dhe ka si kampion 31 emisione në dy televizionet kombëtare, Top Channel e TV Klan, televizionet satelitore kombëtare, Vizion Plus e AS (asokohe ende ne treg), si dhe Televizionin Publik Shqiptar.
Ndërsa për pjesën sasiore analizohen 31 programe, për analizën cilësore në libër, jam thelluar në gjashtë emisione televizive, konkretisht: A Krasta Show – Adi Krasta; E diela shqiptare – Ardit Gjebrea; Opinion – Blendi Fevziu; Top Story – Sokol Balla; Top Show – Alban Dudushi; Zonë e lirë – Arian Çani. Programet janë filtruar në shtatë kategori me fokus te historiku i tyre, karriera e drejtuesve televiziv, analiza përmbajtësore dhe vizive e emisionit, intervista me drejtuesit dhe interaktiviteti në rrjetet sociale.
Ndërsa përqasja sasiore e 31 programeve talk show, bazohet në të dhënat e anketimeve të kryera gjatë periudhës dhjetor 2013-gusht 2014. Ajo është konceptuar në tre kategori, si: menaxhimi, ku përfshihet një vëzhgim i buxheteve të emisionit, pagave dhe kontratat që drejtuesit televiziv kanë me televizionin, sponsorët e programit, reklamat dhe studio; kategoria e dytë janë moderatorët, në të cilën pasqyrohen eksperiencat në ekran, përvojat në aktrim, arsimimin e tyre, spontanitetin, marketingun dhe stafet e programeve talk show. Në kategorinë e tretë, analiza fokusohet mbi audiencat, si: matja dhe niveli i shikueshmërisë, prania e publikut në studio, format e transmetimeve multimediale dhe mbulimi me sinjal i emisioneve.
Ekrani, ky manipulator i madh, të lejon të bësh më shumë “Talk” apo “Show”?
Ekrani, ne fakt, i lejon të dyja. Varet se cila është zgjedhja e moderatorit dhe stafit të tij. Nëse do të flasim për rastin shqiptar duhet thënë se ne ekrane ka me shumicë formate talk show të debatit politik ku dominojnë elementet e talk-ut.
Arsyet se pse mungon elementi i show-t në pjesën më të madhe të programeve në Shqipëri janë disa, por më kryesoret, siç do të shikojmë në vijim, është buxheti dhe stafet e vogla dhe ai që njihet si mekanizmi i selektimit, që buron nga mospublikimi i të dhënave të matjes së audiencës.
Shikueshmëria është motori që vë në punë të gjithë ingranazhet e talk show-t, zgjeron gamën e tyre dhe i fut televizionet në një garë reale me njëri-tjetrin. Kjo është dhe një nga shkaqet e krizës financiare në ekranet shqiptare, të cilat nuk marrin feedback-un e duhur nga audienca e programeve të tyre dhe rrjedhimisht nga kompanitë e reklamave.
Cila është risia që sjell studimi “Talk Show: para dhe pas ekranit”?
Në fakt, risitë janë disa. Ajo që do të theksoja është se për herë të parë studiohet zhanri i talk show-t ne televizionet shqiptare, i cili është formati që mbulon pjesën më të madhe të fashave orare në ekranet tona. Gjithashtu unë do ta konsideroja studimin dhe një analizë të televizionit përmes kësaj gjinie.
Sikurse ju e keni hasur gjatë leximit, në fund të librit, krahas përfundimeve kam shtuar dhe një pjesë me gjetjet e punimit në formën e prirjeve të gjinisë, gjetjeve aktuale që u interesojnë pikësëpari gazetarëve dhe gjetjet nga anketimi, etj.
Nga ky i fundit unë dëshiroj të ndalem vetëm tek një nga 16 risitë që unë kam evidentuar në libër. Nga anketimi rezulton se “42% e programeve talk show që janë transmetuar gjatë periudhës në studim nuk kanë pasur një sponsor gjeneral. Ato janë financuar vetëm nga buxheti i televizionit”.
Këtu kemi te bëjmë me një alarm i madh, pasi në vetvete bart një kontradiktë.
Kemi televizione private që afro gjysmat e emisioneve talk show, përfshi dhe ato në prime-time, i vetëfinancojnë pa përfituar asnjë lek. Si është e mundur? Në një situatë normale të funksionimit të tregut mediatik, këto ekrane duhet të kishin falimentuar.
Por ato qëndrojnë në treg sepse burimet e financimit të një medie janë jashtë mediatike. Paratë që hyjnë në buxhetin e televizioneve “sistemohen” nga pikëpamja ligjore, por prurja e tyre vjen si rezultat i lidhjeve klienteliste, nga shitja e hapësirës publike kundër interesit publik apo bizneset e tjera të të njëjtit grup pronësor.
A do kemi sërish botime me firmën tuaj?
Po, sigurisht. Fusha që më intrigon më shumë është një zhaner krejtësisht i ri, ndoshta zhanri i së ardhmes: Data Journalism. Unë kam marrë pjesë në një konferencë shkencore me një punim me temë: Ndikimi i “data journalism” në mediat tradicionale: Raportimi online i zgjedhjeve në Vizion Plus. Aty unë analizoja një plaformë të ndërtuar nga zyra e web-it në Vizion, kohë kur isha drejtues i faqes, sigurisht, si pjesë e Departamentit të Informacionit të këtij televizioni. Mendoj të thellohem edhe më shumë në këtë fushë në të ardhmen.
Përgatiti: AlpeNews.al