Në një intervistë ekskluzive për AlpeNews.al, juristi Njazi Jaho komentoi raportin e OSBE/ODIHR i cili foli për zgjedhjet e 25 qershorit 2017. Në këtë raport problem është ngritur shitblerja e votave. Partitë që mbetën ën opozitë, reaguan menjëherë pas zgjedhjeve se se votat janë shitur edhe janë blerë, por kjo formë sipas raportit të OSBE/OHDIR është e ndaluar madje edhe e dënueshme.
– Z. Jaho a jeni njohur me Raportin dhe Rekomandimet e OSBE/ ODHIR -it lidhur me zgjedhjet parlamentare të 25 Qershorit 2017?
– Po, jam njohur, por më duhet t’i rikthehem për ta studiuar.
– A mundeni qoftë edhe shkurtimisht të shpreheni se si trajtohet në këtë raport fenomeni i shitblerjes së votës për të cilën u fol shumë sidomos mbas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve?
– Kjo çështje është trajtuar në pjesën VIII të Raportit të emërtuar “Fushata zgjedhore”. Në raport thuhet se gjatë fushatës pati aludime të përhapura gjerësisht për blerje të votës. Pas ditës së zgjedhjeve PD-ja dhe LSI-ja përsëritën pretendimet e tyre se blerja e votës ishte përhapur gjerësisht. Ato treguan edhe disa raste konkrete, por në mungesë të provave të mjaftueshme konkluduese nuk paraqitën ndonjë ankim ligjor kundër rezultateve. (Shih fq 14)
Sipas të dhënave të policisë u ndaluan edhe disa persona të dyshuar për blerje votash, premtime të ndryshme, presione etj, për të votuar në favor të këtij apo atij subjekti zgjedhor.
Megjithëkëtë se çfarë u bë me këta të ndaluar deri më sot nuk di të ketë ndonjë informacion nëse ata u proceduan penalisht, u hetuan, u dërguan në gjykatë, u shpallën fajtorë apo u deklaruan të pafajshëm. Prej asaj kohe kanë kaluar 5 muaj. Në Kodin tonë Penal ka një dispozitë ku thuhet se “Ofrimi ose dhënia e të hollave, bërja e premtimeve për vende pune ose favorizime të tjera në cilëndo formë, me qëllim që të marrë firmën për paraqitjen e kandidatit, për të votuar pro ose kundër një kandidati apo për të marrë pjesë ose jo në votime, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në gjashtë muaj.
Pranimi i të hollave, premtimeve dhe favorizimeve të tjera për të kryer veprimet e mësipërme, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë.” (Neni 328 K.P).
– Mos vallë dënimi është i lehtë dhe duhet ashpërsuar?
– Nuk besoj se kjo është e nevojshme. Së pari, kur është rasti, duhet zbatuar dispozita në fuqi. Së dyti kryesore është parandalimi dhe jo ashpërsimi i masës së dënimit, madje jo vetëm në këto raste, por edhe në kryerjen e veprave të tjera. Kam mendimin se masat e dënimit të parashikuara në Kodin tonë Penal nuk mund të konsiderohen të lehta, madje disa prej tyre në mos tani, në të ardhmen, mund të rishikohen se janë më të ashpra në proporcion me rrezikshmërinë shoqërore që paraqet vepra e kryer.
-Meqë shitblerja e votës në Raportin e OSBE/ODHIR -it paraqitet shqetësuese, çfarë rekomandohet?
– Në një nga rekomandimet prioritare thuhet se “Nevojiten përpjekje serioze për të trajtuar çështjen e vazhdueshme të blerjes së votës si nëpërmjet një fushate ndërgjegjësimi qytetar ashtu edhe nëpërmjet ndjekjes penale, me qëllim forcimin e besimit të procesit zgjedhor. Partitë politike mund të ndërmarrin një angazhim konkret dhe të mirëfilltë për të luftuar praktikat e blerjes së votës” dhe më poshtë “Një refuzim publik nga ana e politikanëve për të pranuar mbështetje financiare nga individë me të kaluar kriminale do të ndihmonte në ndërtimin e besimit të publikut në integritetin e zgjedhjeve.”
– A nuk duket se ky rekomandim është disi i përgjithshëm?
– Kam mendimin se nuk është i përgjithshëm. Kjo edhe për faktin se problemi është kompleks, ashtu siç është korrupsioni në tërësi. Nuk është e lehtë t’i jepet fund me një goditje këtij fenomeni të urryeshëm që cenon zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve. Faktorët që e mbajnë ende të gjallë këtë fenomen janë të shumtë, por ndërgjegjësimi qytetar mendoj se është përcaktues. Zgjedhësit në përgjithësi votojnë për atë parti (subjekt zgjedhor) ose kandidat që duan, por ka edhe një pakicë (deri më sot nuk është dhënë ndonjë shifër) që në forma të ndryshme korruptohet, mashtrohet dhe shet ndërgjegjen. Është një formë e veçantë e shitblerjes së ndërgjegjes. Në këtë vështrim edhe kjo apo ajo parti politike (subjektet zgjedhorë) mendoj se ka përgjegjësinë e vet.
– Po ku konsiston përgjegjësia e tyre?
-Përgjegjësia është e qartë. Si rregull, nuk shkon zgjedhësi (ai që shet votën) të kërkojë lekë apo favore por anëtarët e partisë, simpatizantët apo militantët e saj (madje disa prej tyre janë edhe agresive, përdorin edhe presionin), pse jo edhe ndonjë kandidat që shkon tek zgjedhësi dhe i kërkon (në forma, premtime dhe presione të ndryshme) që të votojë ose të mos votojë në favor të këtij apo atij subjekti zgjedhor. Sensibilizimi i zgjedhësve për të votuar lirisht dhe për të denoncuar çdo lloj presioni është një proces që nuk përfundon shpejt, me një takim, me një shkrim apo emision televiziv ku shpesh bëhen më tepër akuza të natyrës politike se sa të flitet dhe të sqarohet fenomeni dhe domosdoshmëria për parandalimin e tij.
Partitë mund të angazhohen, siç thuhet në rekomandimin e OSBE/ODHIR -it, për të luftuar praktikat e blerjes së votës, por sensibilizimi nuk mund të kufizohet në “angazhimin” por në zbatimin e një programi të detajuar dhe të koordinuar të vazhdueshëm dhe gjithëpërfshirës. Në këtë drejtim kontribut efektiv mund dhe duhet të japin organizatat e shoqërisë civile dhe në veçanti organizatat e akredituara për monitorimin e zgjedhjeve. Spotet televizive apo shpërndarja e fletëpalosjeve ndihmojnë, por kontributi i tyre është relativisht i paktë dhe i kufizuar. OSBE/ODHIR-i ka rekomanduar gjithashtu që politikanët të refuzojnë publikisht pranimin e mbështetjes financiare nga individë me të kaluar kriminale, gjë që do të ndihmonte në ndërtimin e besimit publik ndaj integritetit të zgjedhjeve. Ky refuzim në formë deklarative sigurisht që do të bëhet, por e rëndësishme është që deklaratat të jenë transparente dhe të kontrollueshme. Kjo mendoj se është edhe një nga arsyet që në pikën 15 të Rekomandimeve, rekomandohet harmonizimi i rregullave për financimin e fushatës dhe hartimi i akteve nënligjore me qëllim që të sigurohet një metodologji solide edhe qasje në informimin e plotë mbi financimin e fushatës për ekspertët financiarë dhe zgjedhësit para dhe pas ditës së zgjedhjeve, madje kërkohet edhe përcaktim të afateve për përfundimin e auditimeve pas zgjedhore.
-Në një nga raportet e mëparshme OSBE/ODIHR -i ka rekomanduar depolitizimin e organeve të administratës zgjedhore të të gjitha niveleve. Po në raportin lidhur me zgjedhjet e 25 Qershorit a bëhet fjalë për këtë problem?
-Po, në pikën 4 të Rekomandimeve prioritare thuhet se ligji mund të ndryshohet për të lejuar emërimin mbi baza jopartiake të komisioneve zgjedhore dhe anëtarëve të grupeve të numërimit. Pra ky është qëndrim i njëjtë që OSBE/ ODHIR -i ka mbajtur edhe në raportin e mëparshëm.
Pra ajo që për mendimin tim është diçka e paqartë, është vazhdimi i këtij rekomandimi ku thuhet se: “Kodi Zgjedhor duhet ndryshuar për të ndaluar zëvendësimin diskrecional të anëtarëve të KZAZ-ve nga ana e partive propozuese”.
Them se ky rekomandim është i paqartë, madje edhe kontradiktor sepse nëse shtrohet problemi i depolitizimit të administratës zgjedhore të të gjitha niveleve nuk do të kishte kuptim të rekomandohej që Kodi Zgjedhor të ndryshohej me qëllim që partitë të mos kishin të drejtë të zevendësonin në mënyrë diskrecionale anëtarët e KZAZ-ve.
Nëse përbërja e KZAZ-ve do të ishte e depolitizuar, domethënë nuk do të krijohej në bazë të propozimeve të partive përkatëse politike nuk ka pse të shtrohet çështja e zevendësimit ose jo të tyre nga partitë propozuese.
Përgatiti: AlpeNews.al