Monika Stafa. Teksa thua emrin e saj, menjëherë në mendje të vijnë me qindra kronika lajmesh dhe identifikimi është fare i qartë.
Aq të lidhura ngushtë ishin sa shkonin bashkë edhe në muhabetet e kafeneve: “Monika e Top-it”.
Ndonëse zgjodhi të shkëputej prej dy citesh, rikthimi i saj këtë edicion të ri televiziv ishte një nga më të bujshmit e më të dashurit për audiencën, duke regjistruar 0 komente negative.
Në një intervistë ekskluzive për AlpeNews.al, Monika rrëfen “prapaskenat” e vendimin të saj si dhe planet për të ardhmen.
- Rikthimi juaj në Top Channel duket se ka qenë i bujshëm. Cila është arsyeja kryesore që e morët këtë vendim?
Nuk e kisha menduar kaq shumë në fakt. Por duket se vendi ynë mbetet një vend i vogël dhe prodhon më shumë ‘lajme’ se c’hapësirë ka. Më së shumti portalet, janë në zenith këto kohë për shkak të betejës që momentalisht e kanë të fituar me mediat tradicionale. Është më mirë ndonjëherë mos t’u referohesh. Ende s’po i përmbushin kriteret e duhura të respektit ndaj privatësisë dhe dinjitetit të tjetrit, cështje të etikës këto që i mungojnë përditshmërisë sonë me njëri tjetrin e ndoshta është shumë të pritet prej tyre. Botë klikimesh, jo vlerash. Përse u ktheva ? Sepse më pëlqente, është kaq e thjeshtë.
- Eshtë në planet e tua një emision që do të mbajë autorësinë tënde, apo do vijojmë të shohim Monikën aty ku të gjithë shqiptarevë u je ngulitur si imazh, tek lajmet?
Kishte një të mirë dhe kjo sjellje e dalë në publik fillimisht pa bujë. Asnjë njeri nuk kisha njoftuar vec atyre që duhej t’u respektoja kontratat e mëparshme. Shto këtu dhe familjarët e mi. Askujt, asfare një lajm njoftues. Kam respektuar castin e parë në intimitetin e tij, marrëdhënien e dlirë që kam pasur me atë vend dhe e ruajta fort deri në fund, fanatikisht. Por më pas, kuptova se me sa duket opinionit publik i kisha munguar. Kam ndjerë caste të shkëputura gëzimi që nga dita kur u shfaqa në ekran. Nuk më pushonin urimet në celular. Ende sot nuk po mbarojnë. Pse ta fsheh e lumtur jam, kudo që shërbej me punën time. Unë kam bërë shumë gjëra në televizion, e i kam bërë me shumë dashuri të gjitha sepse kështu di unë të punoj. Ndjeja dicka sa herë kisha dicka në dorë apo dhe para kameras, kjo që do dalë duhet t’i shërbejë publikut ndaj dhe pyetjet që nuk më linin asnjëherë të qetë ishin; cfarë mesazhi ka në fund produkti im? E nëse nuk ka, cili është misioni im atëherë në këtë ndërmarrje? Nuk ka rëndësi nëse merr një emision apo jo, e rëndësishme është të kujtohesh në mungesën tënde nisur nga këto synime/qëllime që ti i vendos vetes në punën tënde. Kuptova se duket ia kisha arritur. Sfida vazhdon.
- Një nga spikeret më të mira, folëse e shkëlqyer, kryetare e Këshillit të Ankesave në AMA-s si dhe autore e disa librave. Cilat janë të veçantat e secilës nga eksperiencat?
E pasur më duket jeta në të vërtetë dhe për këtë do të falenderoj të afërmit e mi që më durojnë kaq shumë. Nga njëra tek tjetra, kohë pas kohe me trazira më së shumti dhe me pak qetësi në mes, por do doja të jetoja nën këtë adrenalinë. Me sa duket është një ‘gërvishtje’ që herë pas here e kërkoj vetë. Sigurisht vetë, të miat kanë qenë zgjedhjet gjithmonë por nën një këshillim të rreptë sysh që nuk më ndahen cdo ditë dhe orë.
- Siç edhe është paralajmëruar, pritet që të botohet një libër me parathënie të Ismail Kadaresë. Kemi një datë të afërt, apo na duhet të presim edhe pak?
Libri do të vijë. Me të dhe një parathënie kaq e bukur. Është e bukur sepse do t’i shërbejë historisë, historisë së Shqipërisë. Ishte një surprizë për mua, e pamendueshme. Ca gjëra ndodhin për një arsye e unë dua t’i besoj arsyes që unë mendoj. Më shumë do të shkruhemi sërish e dashur Bora.
Përgatiti: AlpeNews.al
/Bora Xhani