Shumë prej nesh e njohën nga dalja e bujshme e saj në disa prej emisioneve talk-show në të cilat Zhaklin Lekatari shpalosi një prej mendimeve të saj, lidhur me tabunë e seksit në Shqipëri.
AlpeNews.al ka vendosur që të sjellë diçka më tepër lidhur me jetën dhe përditshmërinë e saj, por edhe për të ditur rreth deklaratës të aq shumë përfolur në media se burrat shqiptarë nuk dinë të bëjnë seks.
Për çfarë e ka patur vallë Zhaklina këtë? Lexoni më poshtë intervistën ekskluzive për AlpeNews.al të Zhaklin Lekatarit!
***
Nuk mund ta anashkalojmë pjesën e vëmendjes mediatike që ju Zhaklin morët nga disa momente ku theksuat se “Shqiptarët nuk dijnë të bëjnë seks”.
Lidhur me këtë në fakt donim t’ju pyesnim nëse keni diçka për t’ju thënë atyre që e keqkuptuan këtë deklaratë?
Në fakt ajo që unë thashë është që djemtë dhe burrat shqiptar kanë aq pak informacion rreth marrëdhënies apo seksit, apo trupit të tyre apo dhe vetës së tyre, sa mangësia e tyre vërehet që në kontaktin e parë me ta.
Mënyra si si dikush prezantohet, flet, argumenton tregon shumë për edukatën, përgatitjen apo përceptimin që dikush ka nga jeta.
Nuk është e nevojshme të kesh marrëdhënie me gjithë burrat për të ditur që çalojnë. Sikurse nuk është e nevojshme të punosh me gjithë shqiptarët për të ditur që janë një popull përtac. Është e njëjta gjë.
Fakti që kjo deklaratë bëri bujë më thellon akoma më shumë idenë që shqiptarët nuk dinë të bëjnë seks por as të duan të tjerët apo dhe veten. E vërteta në fillim të trondit më pas të çliron.
Ndonëse si një vajzë e re në karrierë, ju sapo jeni bërë pjesë e medias në vendin tonë nëpërmjet disa projekteve interesante të cilat shumë prej lexuesve tanë janë të interesuar t’i njohin. E keni nisur në një emision shumë interesant për teleshikuesit që ka qenë “Sfida Imobiliare”, në bashkëpunim me ju personalisht, dhe me bashkëmoderatorin Luan Aliun.
Sa ju ka pëlqyer ky projekt? Dhe nëse do të ketë një edicion tjetër të këtij lloji, mund të na e rrëfeni edhe për ata që e kanë pëlqyer?
“Sfida Imobiliare” është padyshim një projekt që e kam shumë përzemër, sepse përpos prezantimit, bashkë me kolegun Luan Aliu jemi dhe autorë të tij. Këtë vit “Sfida Imobiliare” ka qënë në stand by kryesisht për arsye marketingu dhe ende nuk është vendosur apo qartësuar situata rreth të ardhmes së këtij projekti.
Në fakt këtë vit vazhdimisht jam pyetur rreth “Sfidës” dhe nëse do të vazhdojë ose kur do të rinisë dhe kjo më bën të kuptoj që ishte një program i dashur për shqiptarët apo publikun. Është një program utilitar, dhe profesional dhe i dedikuar, më këtë dua të them që ka patur dhe shumë sfida por dhe shumë të mësuar dhe rritur.
Shpresoj që viti 2018 të jetë një vit rilindje dhe për të.
Nëse ka qenë “Sfida Imobiliare” një pikë e fortë në karrierën tënde, po hapja e një blogu si “Tabu” sa ka ndikuar? Duke ditur tashmë që seksi, dhe vetë sfera e seksiologjisë në Shqipëri është akoma e prapambetur.
Sfida Imobiliare është një program që qëndron larg “Tabu“-së, ndonëse janë të dyja projekte në të cilat kam punuar me shume dëshirë, dashuri dhe ambicie. Qëndrojnë larg për nga lloji i tematikave që trajtojnë.
“Tabu” është një projekt personal i cili ka lindur si pasojë e jetës personale dhe e eksperiencave që kam përjetuar. “Tabu” erdhi si një përgjigje ndaj një mungese, ndaj një hapësire që është formuar, të cilat unë doja ta mbushja, për të fuqizuar vetën dhe të tjerët, sidomos gratë sepse “Tabu” ka shumë hije feminizmi.
Çfarë do të donit t’i shtonit/hiqnit blogut tuaj lidhur me atë që keni vënë re nga klikimet, dhe interesat e lexuesve që e shohin website-in tuaj?
Për “Tabu” kam shumë plane, sepse synimi im është që ajo të jetë një platformë e sigurt dhe e vërtetë ku të marrim informacione reale mbi shendetin, seksualitetin, marrëdhënien, respektin dhe njohjen ndaj trupit tonë.
Ajo që mund të them është që shumë shpejt do të ketë dhe video, live, sondazhe, për t’a bërë sa më interaktive dhe funksionale.
A i shkruani vetë postimet? Nëse po, kujt i referoheni më tepër gjatë artikujve të llojit shëndetësor? Kujtoj këtu një artikull që keni shkruar para disa kohësh për Sëmundjet Seksualisht të Transmetueshme.
Postimet i shkruaj vetë dhe sasia e punës është më e madhe kur postet përmbajnë informacione shëndetësore. Në përgjithësi, psh për artikullin në fjalë, i referohem OBSH, Institucioneve Shqiptare të shëndetit, studimeve nga universitete prestigjioze në botë ose dhe literaturës.
Ndërsa postimet që janë personale ose si përgjigje ndaj pyetjeve të ndjekësve apo lexuesve vijne shpesh herë nga eksperienca personale, apo e atyre që më rrethojnë, apo si përgjigje e sondazheve që une organizoj në faqen e FB, Instagramin apo rrjeteve të tjera në të cilat veproj.
Për ta mbyllur dhe për t’ju falenderuar në të njejtën kohë duam të dimë të gjithë ku mund t’ju gjejmë në ekran, përveç pjesës së blogut që dukshëm ka marrë formën e një website këshillues?
Faleminderit, besoj që vitin e ardhshëm do të jem përsëri në ekran por me projekte dhe forma të reja.
Përgatiti: AlpeNews.al



