34-vjeçari Eglant Koçi paraditen e 4 qershorit doli nga banesa e tij për të shkuar një pallat në bulevardin “Zhan Dark” ku do takohej me shokun e tij Armand Shakaj. Brenda zyrës Eglanti hyri, por nuk doli më.
Në këtë ambient, policia gjeti gjurmë gjaku e mbetje biologjike që do t’i vlejnë hetimit. Kati i dytë i pallatit ka disa njësi tregtare dhe korridoret janë me kamera të cilat kanë kapur 34-vjeçarin duke hyrë, por jo duke dalë. Armand Shakaj duket se ishte gjakftohtë në krim, pasi është kujdesur të fshehë gjurmët duke shkëputur kamerat në korridore.
Pas shkëputjes së kamerave të brendshme, Shakaj urdhëroi kamerierin e lokalit të tij Enea Zyferin të shkëpuste energjinë elektrike, që kamerat të mos kapnin transportimin e 34-vjeçarit nga zyra drejt makinës së tij “Porsh” që qëndronte e parkuar jashtë pallatit. Zyferiu u arrestua si bashkëpunëtor dhe këtë të mërkurë Gjykata e Tiranës e la në burg deri në përfundim të hetimeve. Para gjykatës ai ka thënë se nuk ka dijeni për fatin e 34-vjeçarit pasi zbatoi vetëm urdhrat e pronarit. Ai i tha se do të transportonte një frigorifer.
Pas disa ditësh hetimesh intensive Policia e Tiranës arriti të gjente mjetin e autorit të dyshuar, ku në bagazhin e tij u gjetën materiale biologjike që janë çuar për inspektim. Me vlerë për hetimin është dhe motori i viktimës që sipas hetimeve autori i dyshuar pas krimit e ka çuar fillimisht tek “tregu elektrik”, e më pas në zonën e “5 majit” ku dhe e sekuestroi policia. Provat e gjetura në zyrë, në makinë dhe në motor janë dërguar në laboratorin shkencor, i cili pritet të nxjerrë një përgjigje zyrtare.


