Statuja gjigante antike e faraonit Ramses II në Egjipt është zhvendosur. Trupa e inxhinierisë ushtarake egjiptiane, ka bërë të mundur transferimin e monumentit gjigand, në një largësi prej 400 metrash për ta vendosur në ‘shtëpinë’ e re në një muze.
Zhvendosja e statujës 12 metra të lartë dhe me peshë mbi 80 ton, është shoqëruar edhe me një ceremoni.
11 roje të nderit ishin veshur me uniformë ceremoniale dhe një bandë ushtarake performonte himnin kombëtar.
Sipas RT, zhvendosja komplekse dhe shoqërimi i fanfares kushton 13.6 milionë paund egjiptianë ($ 770,000).
Muzeu ku është zhvendosur statuja është një muze i ri në Egjipt, i quajtur “Grand Egjiptian”, i cili është rreth 490,000 metra katror dhe pritet të hapet plotësisht deri më 2022.
Ramses II, i njohur gjithashtu si Ramsesi i Madh, sundoi Egjiptin për rreth 60 vjet, nga 1279 deri në 1213 pes. Ai e zgjeroi në masë të madhe territorin e perandorisë egjiptiane, që shtrihej në një zonë nga Siria e sotme në Sudan.
Statuja e Ramses II u zbulua në 1820 pranë Memphis-it të lashtë nga Giovanni Battista Caviglia, një eksplorues dhe egjiptolog italian, i cili ishte gjithashtu një figurë kryesore në gërmimin e Sfinksit të Gizës.


