Një ngjarje e rëndë ka ndodhur gjatë ditës së sotme në ambientet e Poliklinikës së Shkodrës, ku një person ka mbetur i plagosur pas një konflikti fizik. Sipas informacioneve paraprake, sherri mes palëve ka degjeneruar deri në përdorimin e thikës, duke lënë të lënduar njërin prej personave të përfshirë. Mësohet se, i plagosuri është transportuar menjëherë drejt Spitalit Rajonal të Shkodrës për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Ndërkohë, burime nga spitali bëjnë me dije se i dëmtuari i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale, por fatmirësisht goditjet me thikë nuk kanë prekur organet jetësore dhe pas trajtimit mjekësor, gjendja e tij është stabilizuar. Bëhet me dije se, forcat e policisë kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje, duke kryer ekzaminimet e nevojshme për të zbardhur dinamikën dhe shkaqet e këtij konflikti.


