Në Maqedoninë e Veriut ka nisur një polemikë e fortë në debatin publik pasi një qytetar ka vrarë veten duke u hedhur nga spitali Covid. Pacienti është hedhur nga balloni i spitalit në mëngjesin e ditës së sotme.
“70-vjeçari i shtruar në repartin infektiv të Spitalit Covid i dha fund jetës së tij tri ditë pasi u shtrua spital si pasojë e komplikimeve, duke u hedhur nga dritarja e katit të parë të këtij spitali”.
Nga drejtoria e spitalit thonë se mjekët bënë gjithçka për t’i shpëtuar jetën. Ekipi kujdestar ka njoftuar policinë dhe prokurori kompetent ka bërë ekspertizë në vendin e ngjarjes.
Psikologët kanë një shpjegim për këtë fenomen. Gentiana Mehmeti tha se nga gjendje e rënduar psikike, pacientët në rrethana paniku nga vështirësitë në frymëmarrje kërkojnë mundësinë e parë për të dalë nga ambiente të mbyllura. Psikologët thonë se pacientët në mënyrë të pavetëdijshme për të shpëtuar jetën kërcejnë nga dritarja, duke shkuar drejt vdekjes.
“Si të themi një situatë e tillë, me një traumë të tillë mjaft serioze. Kjo ka shkaktuar një gjendje mendore mjaft të rënduar tek njerëzit me pasoja shumë dimensionale psikologjike, jo vetëm fizike por edhe mendore, të tilla si stresi, frika dhe ankthi”, deklaroi Gentiana Mehmeti, psikologe.


