Një incident i rëndë ka ndodhur mesditën e sotme në bregdetin shqiptar, ku një turist gjerman ka goditur me një mjet jet ski një pushuese 61-vjeçare.
Ngjarja ka ndodhur në bregdetin e Durrësit, në zonën e lagjes 13, ku një 22-vjeçar gjerman, me inicialet A.N., ka humbur kontrollin e mjetit dhe aksidentalisht ka përplasur pushuesen S.O., 61 vjeçe. Policia e Durrësit ka nisur procedim penal ndaj të riut, banues në Gjermani si dhe pronarit të mjetit jet ski, 48-vjeçarit me inicialet A.T., banues në Durrës.
Njoftimi i policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Plazh referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin A. T., 48 vjeç, banues në Durrës dhe për shtetasin gjerman A. N., 22 vjeç, banues në Gjermani, pasi në plazhin e lagjes nr. 13, shtetasi A. N., duke drejtuar pa leje drejtimi, mjetin lundrues Jet Ski në pronësi të shtetasit A. T., dyshohet se ka humbur kontrollin dhe aksidentalisht ka dëmtuar lehtë shtetasen S. O., 61 vjeçe, pushuese”.


