5 muaj nga ajo mbledhje kryesi e shtatorit 2017 ku nuk munguan tonet e larta dhe akuzat për dhunë fizike (sherri Jemin Gjana – Valbona Mezini) kupola e selisë blu u mblodh sërish pasditen e së enjtes. Ndonëse jo me tensionin e mbledhjes së fundit kur ishin të nxehta debatet dhe përplasjet pas humbjes në zgjedhjet e 25 qershorit dhe rikonfirmim të Lulzim Bashës në krye të Partisë Demokratike sërish nuk munduan debatet.
Kritikat më të forta këtë herë i ka bërë anëtari i kryesisë Arben Imami të cilin Basha e kishte propozuar për të qenë pjesë e grupit të punës që do të mbledhë propozimet për ndryshime në statut. Imami e refuzoi detyrën pa e kursyer ironinë dhe thumbimet.
“Nuk jam për grup pune. Vendos dikë tjetër në vendin tim. Jam kundër mbledhjes së Kuvendit pa u thirrur Këshilli Kombëtar. Nuk kuptoj pse duhet te bëjmë Kongres të parakohshëm. Nuk jam dakord me këtë nxitim, sepse nuk kuptoj shkaqet. Pasi në mbledhjen e fundit u fol vetëm për analizë. Nuk zgjidhen gjërat në mënyrë mekanike, e as me grupe pune. Fjalët i ke të bukura por të mungojnë veprat. Duhet frymë jo duke na futur në grupe pune” – ishin disa nga fjalët e Imamit në mbledhje.
Ishte e menjëheshme replika e Bashës.
“Vlerësoj frymën e diskutimit tuaj. Them Kuvend i Parakohshëm, që në fakt duhet te ishte në shtator? Pyete si do te krijohet hapësira ku çdokush të ketë kushtet për të kontribuar dhe jo thjesht bashkim mekanik. Ky bashkim duhet të ndodhë përmes një mekanizmi që çdokush të vlerësohet sipas meritës. Unë jam angazhuar që këtë t’i paraqes Kuvendit. Statuti është kompetencë e Kuvendit. Dhe sigurisht ju ftoj ta konsideroni praninë tuaj në këtë grup, për zërin tuaj kritik të muajve të fundit dhe do të keni garancinë absolute që procesi të mos jetë formal. Ju garantoj për vullnetin tim të plotë për të krijuar kushte reale dhe jo formale për një bashkëpunim sa më të frytshëm me këdo për të shkuar drejt modernizimit dhe transformimit te partisë” – iu përgjigj kreu i PD-së.
“Vendosni dikë nga ata që ka pasur propozime. Kapaciteti im nuk është për grup pune. Ndoshta është vetëvlerësim i lartë, por do ta ruaj këtë” – mësohet të jetë përgjigjur Imami jo ma ironi.
“Ky nuk është grup për ndryshime statutore, por është grup politik me përvojën e duhur për të mbledhur opinionet, propozimet e të gjithëve. Nëse nuk hidhet ky hap, nuk mund të nisë asnjë proces” – mësohet të ketë thënë Basha.
Pjesë të këtij grupi pune, lideri demokrat propozoi edhe nënkryetarët Edi Paloka dhe Edmond Spaho, Sekretari i Përgjithshëm, Arben Ristani, sekretarët Enno Bozdo, Fatbardh Kadilli.
Pas mbledhjes Imami ka konfirmuar për gazetarët që prisnin jashtë replikat në kryesi me Bashën duke akuzuar se po shkelet statusi dhe se PD po shkon në rrënim të vazhdueshme.
“Që pas zgjedhjeve në sondazhet e zgjedhjeve kryetari i PD dhe partia janë në rënie të vazhdueshme. Unë nuk jam as i afruar dhe as i larguar nga PD dhe nuk përfaqësoj askënd. Këtu janë plot njerëz të tjerë që kanë folur, që kanë qenë kritik dhe duhet të përfshihen në një diskutim të thellë , të hapur e transparent. Diskutimi bëhet vetëm në parti. Nuk mblidhet Kuvendi Kombëtar i PD, pa u thirrur më parë Këshilli.
Bëmë një mbledhje para disa muajsh po këtu, dy çështjet kryesore ishin respektimi i statutit dhe bashkimi. Statuti s’është respektuar se nisi një proces pa kaluar në këshillin kombëtar, bashkimi, ky Kongres apo Kuvend do çoje në asgjë më shumë se formalizimi dhe legalizimi i mosbashkimit nëse kjo çështje do trajtohet në mënyrë burokratike”- u shpreh Imami.
Ka folur për gazetarët edhe kryetari Basha që garantoi se reformimi i PD-së do të jetë transparent.
“Diskutimi ka qenë jashtëzakonisht i frytshëm. Padyshim që ka mendime kritike, por pa i rrahur mendimet s’mund të shkohet në vendime që përfaqësojnë konsensusin e të gjithë anëtarëve te kryesisë. Kryesia ka miratuar vendime që do i japin mundësinë çdo demokrati të kontribuojë në këtë proces, dhe unë personalisht do të garantoj që ky të mos jetë një proces formal, por të jetë i vërtetë i bashkimit të të gjitha kontributeve dhe ideve për këtë platformë, për këtë transformim të PD që do i paraprijë transformimit që presin shqiptarët” – tha Basha.
Kryesia e PD vendosi që Kuvendi Kombëtar i PD-së të mblidhet në 28 dhe 29 prill.