Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve njoftoi se një punonjës i Policisë së Burgjeve në Durrës është kapur në flagrancë teksa tentonte t’i fuste një të paraburgosuri lëndë të dyshuar narkotike. Punonjësi u pezullua menjëherë nga detyra, ndërsa gjatë kontrollit iu gjet edhe një sasi tjetër e dyshuar narkotike.
Ndërkohë, në IEVP Fier, gjatë kontrolleve të ushtruara në ambientet e paraburgimit, u sekuestruan dy telefona celularë dhe një fishë karikimi, pa autor të identifikuar.
Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, të dyja rastet po hetohen në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale. Institucioni theksoi se do të vijojë zbatimin e politikës së tolerancës zero ndaj çdo shkeljeje që cenon sigurinë në burgje.



