Një 19-vjeçar shqiptar është dënuar në Britaninë e Madhe pasi tentoi të importonte armë zjarri nga SHBA dhe rezultoi i përfshirë edhe në aktivitet kriminal me drogë.
Bëhet fjalë për Henri Nikollin, i cili u dënua me 6 vite e 3 muaj burg nga drejtësia britanike. Sipas hetimeve, i riu kishte porositur nga SHBA një paketë të maskuar si “kit trajnimi për qen”, por që në fakt përmbante një pistoletë 9 mm dhe pajisje për armë zjarri. Paketa u zbulua nga autoritetet amerikane dhe u bllokua.
Nikolli u arrestua në prill 2025 në Hertfordshire, ndërsa kontrolli në banesën e tij zbuloi një arsenal të rrezikshëm: tre armë zjarri antike të modifikuara për municione moderne; municione dhe mjete për përshtatjen e armëve dhe thika dhe pajisje të tjera të rrezikshme.


