Nën kryesimin e Edi Palokës demokratët janë bërë gati t’i shkojnë deri në fund hetimit të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri si pjesë e dosjes “Habilaj”.
A është ai i përfshirë në trafik dhe çfarë pritet të zbardhë komisioni hetimor? Anëtari demokrat i këtij komisioni, Enkelejd Alibeaj i ftuar në emisionin “Kjo Javë” të gazetares Nisida Tufa në News 24, thotë me bindje se opozita është gati të sjellë provat e saj që të zbardhet e vërteta.
Ai madje shton se për t’i shkuar deri në fund kësaj çështje, janë konsultuar sot edhe me kryedemokratin Lulzim Basha.
“Ka qenë një takim konsultativ, e kemi marrë seriozisht këtë çështje pasi e e kërkon edhe koha…E marrtë e mira, duhet marrë seriozisht kjo çështje! Nëse ka një njollë të errët ky vend, është kjo çështje. Ky është momenti që të kuptohet se në çfarë katrani është zhytur ky vend .
E di që do ketë dy raporte në fund, për çështjen, por më rëndësi kanë faktet që do të shpalosen a janë të vërteta apo jo, dhe a do të tregojmë një situatë therëse të fenomenit të kultivimit të drogës. Ne kemi detyrim publik të sjellim provat tona”,- tha demokrati.


