Familja e Enisa Dodës, 17-vjeçares që u mbyt në plazhin e Velipojës, ka hapur dyert e mortit në Bathore, aty ku edhe jetonin prej vitesh.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Lezan Doda, ka shprehur dhimbjen për humbjen e të bijës, teksa ka publikuar edhe një foto.
“U prehsh ne paqe zemra e babit zoti te mori shpejt fizikisht por Jo shpirterisht. Qofsh e xhenetit,”– shkruan ai krahas fotos.
Përsa i përket lidhjes së të bijës me Indrit Bajraktarin, të riun me të cilin Enisa kishte dalë të bënte shëtitje me motor uji, ai është shprehur se e ka njeri të familjes.
“Indrit Bajraktari është i njohur i familjes,”– mësohet të ketë thënë ai ndër të tjera, dhe më pas u ka kërkuar gazetarëve që të largohen nga shtëpia, pasi donte qetësi në këtë ditë të dhimbshme dhe të vështirë për të.
Ndërkohë nëna e vajzës ka deklaruar se në momentin kur e bija është larguar ka qenë e veshur me xhinse të shkurta dhe këmishë.
Trupi i Enisa Dodës u gjet nga peshkatarët në një largësi 700-800m nga bregu, një ditë më parë. Në lidhje me këtë ngjarje, policia ka rrestuar 25-vjeçarin Indrit Bajraktari, i cili kishte qenë shoferi në motorin e ujit, me të cilin po bënin xhiro dy të rinjtë.
Mjekësia Ligjore ka raportuar se në trupin e 17-vjeçares janë konstatuar shenja dhune, të cilat ende nuk dihet se nga çfarë janë shkaktuar. Ndërsa çelësi i motorit të ujit është gjetur i varur në qafën e 17-vjeçares Enisa Doda. Sipas protokollit çelësi është i lidhur me varëse që përdoret në rast se mjeti i lundrimit fiket dhe qëndron në vend, por është ende e pakuptuaeshme se përse ndodhej në qafën e të miturës.
Vetë Bajraktari është shprehur përpara uniformave blu se vajza kishte rrëshqitur nga motori i ujit, ndërsa nuk e mban mend mirë se çfarë ka ndodhur. Pronarët e motorit të ujit, i gënjeu duke u thënë se e kishte nxjerrë vajzën në breg.