Aktor i njohur i humorit Zef Deda ka folur për të birin Julian Deda i cili prej kohësh tashmë angazhohet edhe me politikë.
Në një lidhje direkte me “Skype” në emisionin “Ditë e Re”, në RTV Ora ai ka folur edhe për ndryshimin midis humorit që bënin dikur, dhe humorit që bëjnë tani duke marrë si shembull të birin.
Zefi tregon se dikur fjalët banale çensuroheshin dhe kishin gjithmonë kontroll kulturor dhe kontroll politik, gjë që në ditët e sotme nuk ekziston.
A bëjnë për të qeshur aktorët e humorit sot?
Zef Deda: Ne kemi pasur libretist, edhe sot kanë libretist, por libretisti është më i dobët se një shkrimtar i lënë as dore, pale ku e kanë gjetur, që nuk është i aftë të shkruajë një batutë dhe detyrohen artistat vetë t’i shkruajnë. Në vendet e botës nuk funksionon kështu. Problemi qëndron tek kultura e të shkruarit, kultura e të interpretuarit dhe kultura e të folurit.
Po humori që bëje t’i me atë të Julit a ndryshon?
Zef Deda: Po ka shumë ndryshime sepse atëhere ka qenë një çensurë dhe ne thonim atë që ishte e lejuar në atë kohë. Atëhere kishim edhe kontroll kulturor dhe kontroll politik. Sot nuk i kontrollon askush. Edhe Juli përpiqet të ketë kujdesin që ka dhe baba i vet dhe familja jonë. I kam mësuar fëmijët që të mos përdorin banalitete. Ka ndonjë moment që edhe mund të përdorë ndonjë fjalë të vogël banale, por mua nuk më pëlqen fare.