Administratori i kompanisë së frutave ekzotike, Alba Exotic Fruit është vënë në prangat e policisë, i cili ishte në kërkim pasi akuzohet se ne disa raste ka sjellë kokainë nga Ekuadori.
Burimet bëjnë të ditur se në kudër të operacionit të koduar “Rada” në pranga është vënë shtetasi Eduart Dauti, 51 vjeç.
Njoftimi i policise
Tiranë
Vijon operacioni policor i koduar “Rada”.
Operacioni policor i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 6.
Kapet dhe vihet në pranga administratori i firmës “Alba Exotic Fruit”.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, mbi vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim, në vijim të operacionit policor të koduar “Rada”, bënë kapjen e shtetasit:
– E. D., 51 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas është shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”.
Në kuadër të operacionit “Rada” të nisur më datë 13.07.2021, në Portin e Durrësit, nga Task Forca permanente e përbërë nga Policia Kufitare, strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe autoritetet doganore të Portit, gjatë kontrolleve, në kontenierët e firmës “Alba Exotic Fruit”, në disa raste, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, sasi lënde të dyshuara narkotike të llojit kokainë.


