Gjykata e Tiranës ka dënuar me tre vite burg këngëtarin Bojken Lako. Raportohet se Lako është dënuar për akuzën “ndërtim i paligjshëm” me qëllim fitimin.
“Në rastin konkret rezulton se shtetasi Boiken Lako ka kryer punime që kategorizohen si punime që kërkohet pajisja me leje ndërtimi sipas nenit 11 të VKM-së 408 ‘Për Miratimin e Rregullores së Zhvillimit të Territorit’. Punimet e kryera nga shtetasi Boiken Lako konsistojnë në krijimin e një strukture të re, duke ndërtuar mure, hapur dritare, kasat e dyerve dhe instalimet elektrike. Shtetasi Boiken Lako nuk ka aplikuar për leje ndërtimi, por thjesht është mbështetur tek një kërkesë e Njësisë Administrative Nr.7. Siç rezulton nga deklarimet e shtetasit Boiken Lako, proces-verbali për këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe tabela fotografike, punimet e kryera nuk janë punime të brendshme, por është ngritur një ndërtim i ri tërësisht e ndryshme nga ajo e mëparshme”, sqaron Gjykata.


