Parlamenti Europian shtyu për në shtator reformën për të drejtën e autorit, e cila ka për qëllim që të detyrojë industritë e mëdha dixhitale amerikane, duke nisur nga “Google” e “Facebook”, për t’u njohur të drejtën e kompensimit botuesve për përdorimin e materialeve gazetareske, falë të cilave gjenerojnë miliarda fitime përmes reklamave dhe mbledhjes së të dhënave të përdoruesve.
Parlamenti Europian u nda më dysh, pa arritur dot të kalojë rregulloren e re, me 318 vota kundër, 278 pro dhe 31 abstenime.
Tashmë rregullorja për të drejtën e autorit do të rikthehet për votim në shtator, kur europarlamentarët do të votojnë një seri amendamentesh.
Rregullorja për të drejtën e autorit është aprovuar nga komisioni juridik i Strasburgut.
Por duket e vështirë gjetja e një kompromisi mes fraksioneve të polarizuara, për shkak të rrezikut të hedhjes poshtë nga mbështetësit e gjigantëve si “Google” e të tjerët.
Edhe nëse nuk lëviz shumë nga projekti fillestar, direktiva duhet të negociohet sërish mes tre palëve: Komisioni Europian, Këshilli i Europës dhe Parlamenti Europian.
Kjo duket si një garë me kohën, për shkak se direktiva e re duhet miratuar para zgjedhjeve europiane të vitit tjetër.
Duket se mes qeverive që nuk e mbështesin këtë direktivë është edhe qeveria e re e Italisë.
Qëndrime të tilla janë si “dhuratë” për kompanitë e mëdha të Silicon Valley-t, të cilat edhe nuk paguajnë taksa në Europë, edhe përfitojnë në rrugë të tjera, siç tregoi rasti i përdorimit të të dhënave nga Cambridge Analytica.
Kjo do të thotë se ato do të vijojnë të shfrytëzojnë artikujt gazetareskë thuajse pa kosto, duke dëmtuar kështu të ardhmen e shtypit të pavarur


