Bledar Devolli nuk është trajneri më i mirë dhe më i suksesshëm në Shqipëri, por as më i keqi, më i paafti dhe më i ligu, për t’u trajtuar sipas stilit të Kamzës. Ose më saktë, sipas stilit të Naim Qarrit. Gjirokastriti u shkarkua dje pas humbjes 1-0 në Durrës nga Teuta. Skuadra e tij nuk shkëlqeu, por nuk ishte as inferiore ndaj “djemve të detit”. Ishte vetëm humbja e dytë në kampionat, ndërkohë që sapo u mbyll vetëm java e tretë dhe u shkarkua trajneri i parë i Superiores.
Pa durim, pa mëshirë dhe respekt. Ky vendim mund të mirëkuptohej nëse Devolli do ishte pre muajsh aty dhe pas humbjeve të vazhdueshme apo pas ndonjë sherri të brendshëm, atëherë ndoshta e meritonte. Por fundja, kjo është Shqipëria e futbollit, njësoj si Shqipëria tjetër e çudirave dhe bëmave sa qesharake aq edhe të dhimbshme.
PRAPASKENAT
Për çfarë mund të largohet një trajner që në javën e tretë, ndërkohë që në javën e parë ka mundur Tiranën në fushën e saj? Për mosbindje! Bledar Devolli më së shumti është shkarkuar se u bindej gjithnjë e më pak urdhrave të drejtuesve dhe të zyrtarëve që ushtronin presion thuajse në çdo ndeshje për të diktuar formacionin.


