Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për shtetasin Erdion Muho, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shkatërrim i pronës me eksploziv”, e kryer në bashkëpunim dhe mbetur në tentativë, parashikuar nga neni 152/3, 25 dhe 22 i Kodit Penal.
Vendimi i Apelit erdhi pasi Muho kishte kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë të vendosur nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë.
Muho u ndalua më 28 korrik, ndërsa në 30 korrik, Gjykata e Shkallë së Parë vlerësoi si të ligjshëm arrestimin dhe i caktoi masën e sigurisë “arrest me burg”.
Erdion Muho 35 vjeç, pronar i një agjensie turistike në qytet që operon edhe në fushën e transportit ndërkombëtar detar të udhëtarëve të linjës Sarandë- Korfuz, u ndalua me urdhër të Prokurores Besiana Sadikaj, mbrëmjen e 28 korrikut. Sipas urdhërit bazuar në provat e administruara në dosjen penale, ekziston dyshimi se shtetasi Erdion Muho të jetë autori i veprës penale parashikuar nga neni 152 “Shkatërrim i pronës me eksploziv” kryer në bashkëpunim sipas nenit 25 të Kodit Penal me viktimëm Armand Nelaj, e cila mbeti në tentativë sipas nenit 22 të Kodit Penal.
Nga hetimet dyshohet që Nelaj atë natë po afrohej në kalatën e Portit për të vendosur një sasi eksplozivi në një nga tragetet e linjës Sarandë-Korfuz, por në rrethana ende të paqarta eksplozivi shpërtheu aksidentalisht. Prokuroria dyshon se bashkëpunëtor i Nelajt ishte pikërisht Erdion Muho dhe ngjarja kishte si motiv konkurencën.


