Kryedemokrati Lulzim Basha ditën e enjte është thirrur në Prokurorinë e Tiranës në kuadër të hetimit penal që ka nisur në Shtetet e Bashkuara për dy kontratat lobuese që Partia Demokratike kishte firmosur me kompaninë “Stonington Strategies”.
Shefi i opozitës do të dalë para prokurorit të çështjes Gjergji Tako, i cili gjithashtu do të marrë në pyetje edhe ish sekretarin e përgjithshëm të PD-së Arben Ristani si dhe pasardhësin e tij Gazment Bardhi.
Hetimet për këtë çështje rinisën pas dy letërporosive nga Amerika për kryedemokratin Lulzim Basha.
Kontratat u raportuan më 14 nëntor në Departamentin amerikan të Drejtësisë nga kompania “Stonington Strategies”, ku deklaron se ka marrë dy pagesa nga Partia Demokratike me vlerë totale 525 mijë USD dhe një pagesë të tretë nga “Biniatta Trade LP”-një kompani guackë e regjistruar në Skoci në vlerën e 150 mijë USD.
Kontrata e drejtpërdrejtë e PD-së me “Stonington Strategies” është raportuar në Departamentin e Drejtësisë në SHBA që në muajin mars 2017, ndërsa kontrata me “Biniatta Trade LP’ është mbajtur e fshehur për disa muaj dhe është raportuar në mesin e muajit nëntor 2017.
Ndërkohë, asnjëra prej këtyre pagesave nuk rezulton në raportin financiar që Partia Demokratike ka dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për fushatën zgjedhore 2017, ç’ka ngre pikëpyetje serioze për origjinën e parave. Raporti i publikuar në faqen zyrtare të KQZ, tregon se PD pasqyron vetëm pagesat për dy kontrata lobimi me kompaninë tjetër të lobimit “Barnes and Thornburg LLP” në vlerën e 12 585 000 lekëve.


