Kryetari i sapoemëruar shqiptar në Leposaviç, Lulzim Hetemi ka 16 ditë që nuk ka dalë nga ndërtesa e komunës.
Mëngjesin e sotëm ai është fotografuar duke parë nga dritarja e zyrës protestuesit serbë dhe pjesëtarët e KFOR-it që janë mbledhur para selisë komunale.
Situata në veri të vendit është tensionuar nga 26 maji, kur Policia e Kosovës asistoi kryetarët e tri komunave veriore, Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok, që të futen në zyret e tyre, përkundër rezistencës së serbëve lokalë.
Situata u përshkallëzua më 29 maj, kur serbët lokalë u përplasën me ushtarët e KFOR-it të cilët ruanin objektet komunale. Atë ditë mbetën të lënduar 30 ushtarë të KFOR-it, 11 të kontingjentit italian dhe 19 të tjerë të kontingjentit hungarez. Faktori ndërkombëtar ka bërë thirrje të vazhdueshme për uljen e tensioneve tensioneve dhe, së fundi, disa kanë kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri.


