Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj tha se taksa e sheshtë e prezantuar në programin e PD rrit taksat për qytetarët, duke ofruar si shembull stafin e institucionit që drejton.
Në një bisedë në News24, Veliaj deklaroi se bashkia e Tiranës bën më shumë se sa është ambicia e Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit.
“Sigurisht që ne do respektojmë idetë e kundërshtarit. Është më mirë kur flasim për ide se sa konfrontimi kur i vunë zjarrin Tiranës. Pyetja është për çfarë idesh do flasim? Më kujtohet që kemi pasur 15 mijë bebe nuk e morën çekun e bebes në Tiranë. Nëse për 4 vite ai 50 mijë lekëshi nuk u dha në Tiranë, çfarë garancie do të ketë për Shqipërinë.
Ose një shembull tjetër. Vetëm një herë ishin dhënë kredi të buta dhe gjysmat e listës ishin zv.ministrat, deputetët dhe gardistët e 21 janarit. Ne në vit japim 1 mijë kredi të buta. Vetëm një bashki bën shumë më shumë punë se sa premton e gjithë qeverisja e Lulzim Bashës e Monika Kryemadhit. Jo vetëm ambiciet nuk korespodojnë me atë që kanë bërë vetë, por i kanë ambiciet shumë më të ulëta se ç’mund të bëjë një bashki sot.
Nuk mund ti thuash dikujt që e ka taksën zero se do ia rrisësh. Për 90% të stafit të bashkisë së Tiranës, programi i Lul Bashës i rrit taksat. Sot ata kanë një taksë progresive, kush e ka të ulët e ka zero. Oligarkët duhet të paguajnë taksa. Për 90% të stafit tim, propozimi që na vjen është për të rritur taksat, ndërkohë që sot i kanë 0 ose 2-3%. Nuk kishte asnjë propozim për pandeminë dhe tërmetin. Arsyeja që nuk ishte se as ata vetë nuk besojnë se do fitojnë më 25 prill”, deklaroi Veliaj.
Ai u ndal tek skema e pensioneve, duke kujtuar se në qeverisjen e mëparshme kishte një tavan prej 240 mijë lekësh, ndërsa sot ka njerëz me pensione 400 dhe 450 mijë lekë.
“Nga 6 vite konfrontime ku digjej e shkatërrohej kemi vajtur në një ambient civil. Këtu po ia jap disa pikë. Por në qoftë se i marrim pikat e programit po ju flas për shembull për pensionet. Në qeverisjen e Lul Bashës dhe Monikës pensionet kishin një tavan 240 mijë lekë. Për sa kohë ke një tavan dhe nuk del dot mbi tavan, sot me reformën e re, nuk ekziston një tavan, mund të dalësh mbi një pension. Kam takuar personalisht njerëz me pension 400, 450 mijë lekë. Në kohën e tyre tavani nuk të lejonte të shkoje më lart.
Ti mund të premtosh çfarë të duash, kur nuk ke detyrimin të qeverisësh. Ju mora shembullin e pensioneve për të treguar që kush i bën e kush premton në Hava.
Për të rinjtë, dikush duhet të kujtojë Kristalin dhe Vitrinën. Ata duhet të dalin dhe thonë ndjesë. Do kërkohet falje për këta studentë që dolën me këto diploma.”, u shpreh Veliaj.
Sa i përket një kundërshtari politik, Veliaj tha se kjo është një fushatë për njerëzit.
“Dua t’ju kujtoj vitin 2019 kur nuk morën pjesë në zgjedhje. Kjo është fushatë për njerëzit, për zemrat dhe mendjet. Nuk është për dikë që e ka lidhur jetën me Anglinë por ne që jemi në Shqipëri, për njerëzit.
Kush jeton jetën për të cilën flet, kush jeton të tjera gjëra dhe bën të tjera gjëra. Asnjë prej nesh nuk ka shtuar vilat gjatë pandemisë.
Po të isha Basha do thosha ja ku është SHQUP-i për strehimin e të pastrehëve. Drejtojnë me fjalë jo me vepra. Veprat i kanë të ndryshme”, deklaroi Veliaj


