Shqipëria ka nisur ditën e djeshme procesin e vaksinimit. Sasia e parë e vaksinës që shkon në mbi 900 doza sipas zyrtarëve të lartë të shtetit është dhuratë e një prej vendeve të BE-së, por origjina e vendit që ka kryer donacionin nuk është zbuluar nga kryeministri dhe ministrja e shëndetësisë ditën e djeshme.
Ajo që dihet është se po i njëjti shtet do të na dhurojë në ditët në vijim edhe 2000 doza të tjera. Ndërkohë të parët që janë vaksinuar ashtu si u njoftua nga autoritetet e shëndetësisë kanë qenë mjekët dhe personeli shëndetësor i spitalit Covid 1, për të pasur me spitalet e tjera, ndërkohë që në total numri i personelit shëndetësor që është konsideruar si prioritar për tu vaksinuar shkon në 5000 mijë mjekë , infermierë, personel urgjencash.
Gjatë vitit që lamë lajmet për daljen e vaksinës dhe sa efekt do të ketë ajo në përmirësimin e situatës nga pandemia, janë shoqëruar me argumente pro dhe kundër nga profesionistë të shëndetit.
Një nga mjekët që deklaroi se do e merrte i pari vaksinën sapo të mbërrinte në vendin tonë ka qenë mjeku Pëllumb Pipero.
Mjeku i njohur ishte i ftuar sot në “Wake Up” ku foli për vaksinën dhe sigurinë e saj. Pipero tha se ai ende nuk është infektuar me Covid-19, edhe pse u ka shërbyer për 11 muaj pacientëve me koronavirus.
Ai shprehet optimist që vaksina do t’i japë fund pandemisë që ka gjunjëzuar botën.
“Ne ende duhet të jemi të qartë për një gjë, ne ende nuk i njohim pasojat afatgjata të Covid. Unë e kam konsideruar veten me fat që pas 10-11 muajsh përballje me pandeminë jam ende i painfektuar. Kujdesi është kryesor, por duke qenë gjithë ditën me pacientë me Covid e kam konsideruar veten me fat.
Vaksina është fillimi i fundit të kësaj pandemie. Duhet ta marrim me optimizëm vaksinimin. Të besojmë te ajo që shkenca dhe shkencëtarët na kanë ofruar.
Kam parë dokumentin shoqërues të vaksinës, ruajtjen, stafin që e aplikon dhe si specialist i vjetër e njoh mirë, pavarësisht e dimë apo jo vendin nga ka ardhur vaksina, jam shumë i sigurt që vaksina është prodhim i Pfizer BioNTech. Do t’u thosha të gjithëve, vaksina është e sigurt”, u shpreh Pipero.


