Komisioni i Venecias i ka kthyer përgjigje Kuvendit të Shqipërisë lidhur me debatin mes Presidentit Ilir Meta dhe shumicës socialiste për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Komisioni i Venecias thotë se divergjenca e qartë e interpretimit të procedurës së emërimit President – Kuvend – Gjykatë e Lartë në rastin konkret kur listat përbëhen kryesisht nga të njëjtët kandidatë palët në proces duhet të bien dakord. Po sipas komisionit të Venecias, rregulli i radhës aplikohet vetëm në momentin e shpalljes nga Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të vakancave, pas hapjes së secilit raund të emërimeve.
“Pasi të jenë shpallur vakancat për trupat përkatëse të emërimit, sekuenca nuk kërkon aktivizim deri në raundin tjetër. Për sa kohë që mungesa e kandidatëve vazhdon dhe listat përbëhen kryesisht nga të njëjtët kandidatë, në një situatë kur ka emërime që duhen bërë, Presidenti dhe Kuvendi (dhe Gjykata e Lartë, nëse fillon të funksionojë së shpejti) duhet të bien dakord për procedurën që do të ndiqet“.
Për të shmangur situatën e krijuar vitin e kaluar me emërimet, Komisioni i Venecias kërkon nga palët që të thjeshtëzojnë procesin. “Komisioni i Venecias është i mendimit se modeli kushtetues i miratuar në vitin 2016 është tepër kompleks, dhe në planin afatgjatë do të rekomandonte thjeshtësimin e tij, në radhë të parë duke hequr rregullin e sekuencës. Së dyti, vitet e përcaktuara të fillimit dhe mbarimit të mandateve nëntëvjeçare duhet të jenë hequr. Gjykatësit kushtetues gjithmonë duhet të gëzojnë një mandat të plotë nëntë-vjeçar, edhe nëse ato zgjidhen me vonesë ose nëse marrin një mandat i cili u ndërpre më herët. Ndryshimi nuk duhet të krijojë probleme pasi sekuenca të hiqet“.
Por gjithçka në fund kalon nga dialogu, të cilin Komisioni i Venecias e kërkon nga politika shqiptare. “Komisioni i Venecias rithekson nevojën absolute për dialog dhe bashkëpunim ndërmjet institucioneve shtetërore. Mandati dhe kompetencat e institucioneve shtetërore duhet të jenë të respektuar në mënyrë që ata të përmbushin objektivat e tyre legjitime institucionale. Kultura demokratike dhe pjekuria kërkojnë kufizim institucional, besim të mirë dhe respekt të ndërsjellë ndërmjet institucioneve shtetërore“. Komisioni i Venecias kërkon nga palët plotësimin sa më shpejt të vendeve në Gjykatën Kushtetuese dhe të Lartë.